Aktualitet

Ekstradohet nga Spanja, ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha

Edhe pse vetë Berisha kishte kërkuar që të mbahej në Spanjë, duke pretenduar se ekstradimi i tij në Shqipëri do t'i rrezikonte jetën. 

k.m.
Ekstradohet nga Spanja, ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim
Lulzim Berisha

TIRANË-Ekstradohet Lulzim Berisha! Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha është ekstraduar sonte nga Spanja. Ishte një gjykatë spanjolle që vendosi se Berisha duhet të ekstradohet në Shqipëri dhe të përballet me drejtësinë. Edhe pse vetë Berisha kishte kërkuar që të mbahej në Spanjë, duke pretenduar se ekstradimi i tij në Shqipëri do t'i rrezikonte jetën.

Ish-kreu i bandës së Durrësit është vendosur në pranga në dhjetor të vitit të shkuar teksa fshihej në Alicante të Spanjës, në kuadër të operacionit “Sant Joan”. Lul Berisha fshihej në Spanjë me letra bullgare, por nuk ka më detaje të tjera lidhur me arrestimin e tij. Megjithatë është bërë me dije se deri më tani janë dorëzuar të gjitha dokumentat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Berisha ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Lartë vendosi rikthimin në burg të Berishës për të kryer edhe 5 vite burg që i kanë mbetur pa shlyer.

Por po ashtu, SPAK ka prerë një urdhër arresti ndaj tij pasi Berisha akuzohet se ka porositur vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005. Për këtë ngjarje janë marrë të pandehur edhe Indrit Taullai dhe Indrit Rusi. Bashkë me vrasjen e Saliut, i penduari i drejtësisë, Luftar Reçi, i cili dëshmoi në SPAK të gjithë dinamikën e vrasjeve që tronditën vendit, drejtoi gishtin nga Berisha edhe për ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lame. Por kjo akuzë ka rënë, e tashmë për vrasjen e Lames akuzohen vetëm Emiliano Shullazi dhe Viktor Ymeri. Biznesmeni Lame u vra me lëndë shpërthyese më 27 shkurt të vitit 2005, dhe bashkë me të humbi jetën edhe Artan Arsi.

Por kush është Lulzim Berisha, emri që frikësoi Durrësin në vitet e vështira të 1997?

Lulzim Berisha kreu disa vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal ndërsa u lirua më 2016. 16 anëtarët e ish-bandës famëkeqe në Durrës u dënuan në total me 245 vite burgim nga asokohe Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Më janar të 2015, Gjykata e Lartë rrëzoi tre dënime përjetë të anëtarëve të bandës së Durrësit dhe la në fuqi vetëm burgun përjetë të Indrit Dokles. Në 6 dhjetor të 2016, plot 10 vite pas arrestimit të tij në Maqedoni ish-kreu i Bandës së Durrësit fitoi lirinë. Berisha u lirua nga Gjykata e Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur liri me kusht për 5 vitet e mbetura të dënimit. Berisha prej kohësh qëndronte pranë spitalit të burgut në Durrës ku ishte nën kujdesin e mjekëve pas disa problemeve shëndetësore, ndërsa mësohet se vuan nga një sëmundje e rëndë, për të cilën kishte shkuar të kurohej në Turqi. Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun./ZËRI

Poll

MOS HUMB