TIRANË-Drejtori i Hekurudhave Shqiptare, Ergys Verdho, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Deri më tani nuk dihet arsyeja pse Verdho ndodhet në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa teksa dilte nga ambjentet e SPAK, Verdho ka njoftuar se ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
“Kam dhënë dorëheqje nga detyra. Në SPAK isha për histori të vjetra.”, tha ai.
Largimi i drejtorit të Hekurudhave vjen pasi kryeministri Edi Rama ka kërkuar një riorganizim të drejtuesve të institucioneve që varen nga ministritë. Dogantat, tatimet, QKB, AMF, AMLF, Kadastra, AKU, ISUV, AKUK dhe burgjet janë institucionet e prekura, ku drejtuesit duhet të dorëzojnë dorëheqjet deri të hënën, më 26 tetor, së bashku me një raport mbi punën e tyre.
Ergys Verdho më herët ka mbajtur poste të rëndësishme, si drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe më pas në krye të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Sa i përket paraqitjes në SPAK, Verdho ka deklaruar se bëhet fjalë për një çështje të vjetër, por nuk dha më shumë detaje.