Aktualitet

Dosja ZARKA- Pas Bledar Valikajt, paraqitet në SPAK edhe gjyqtari i shkarkuar Besnik Hoxha

Në dosjen që SPAK e klasifikon si sekret hetimor, një prej personave të dyshuar e etiketon gjyqtarin Hoxha si ‘beso grupi’, ose ‘beso shkodrani’

E.K
Dosja ZARKA- Pas Bledar Valikajt, paraqitet në SPAK edhe gjyqtari i
Ish-gjyqtari besnik hoxha ne spak

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka vijuar me thirrjen e personazheve të njohur të drejtësisë, emrat e të cilëve dyshohet se janë përmendur në dosjen e arrestimit të kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka. Ky i fundit u vu në pranga pasi dyshohet se ka ndërhyrë te funksionarë të drejtësisë për të ndryshuar vendimmarrjen në lidhje me personat e arrestuar për çështjen ‘Toyota Yaris’.

I radhës që ka ngjitur sot shkallët e SPAK ka qenë ish-gjyqtari i Tiranës, Besnik Hoxha, i cili është shkarkuar nga Vetingu. Referuar dosjes hetimore që çoi në pranga Zarkën, njëri nga të dyshuarit e quan ish-gjyqtarin ‘Beso grupi’ dhe kur bashkëbiseduesi e pyet se kush është, ai merr përgjigjen ‘Besnik Hoxha shkodrani’.

Më herët për të njëjtën çështje është marrë në pyetje dhe prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj, i cili është njëherësh dhe bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj. SPAK është treguar mjaft e rezervuar në hetimet për dosjen “Zarka”, e cila thuhet se do të trondisë vetë radhët e drejtësisë, për shkak të funksionarëve të lartë që përmenden, si të dyshuar në akte korruptive.  

SHKARKIMI I BESNIK HOXHËS

Besnik Hoxha u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 25 korrik. Ai më herët në Komisionin e Pavarur të Kualifikimi kishte kaluar procesin e vettingut.

Vendimi i KPA erdhi pas ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të KPK-së ndaj Besnik Hoxhës për rikthimin e tij në detyrë.

Pas kalimit të barrës së provës në të tre kriteret e rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me shumicë votash që të lërë në detyrë gjyqtarin Besnik Hoxha më 18 maj të vitit 2023.

Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa Bungo./ZËRI 

Poll

MOS HUMB