TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nisur seanca e radhës për dosjen “Partizani” me të pandehur kreun e PD-së Sali Berisha dhe të pandehurit e tjerë. GJKKO ka miratuar listën e SPAK me 11 dëshmitarë, 8 prej të cilëve pritet të dëshmojnë sot.
Mësohet se, i pari që do të merret në pyetje është deputeti i PS-së, Taulant Balla, si kallëzues i çështjes, i ndjekur nga ish-drejtues të klubit "Partizani". Para trupës gjykuese do të paraqiten edhe ish-drejtues të klubit “Partizani”, përfshirë ish-presidentët Albert Xhani dhe Paro Laçi, si dhe ish-drejtorë të kompleksit.
Dëshmitarët e SPAK në seancën e sotme
Taulant Balla, Kallëzuesi i aferës Partizani
Afrim Tole, Ish-shefi i Klubit Partizani
Isa Tare, Ish-drejtori i kompleksit
Bujar Labinoti, Ish-drejtori i kompleksit
Albert Xhani, Ish-presidenti i Partizanit
Paro Laçi, Ish-presidenti i Partizanit
Dhurata Çela, Ish-drejtoreshë e AKKP Tiranë
Petrit Kullolli, Topograf në AKKP Tiranë
GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes edhe për të thirrur si dëshmitar edhe kryeministrin Edi Rama. Ai pritet të japë shpjegime në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me ndryshimin e destinacionit të truallit të ish-kompleksit “Partizani”.
Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI