Aktualitet

Dosja e ’21 Janarit’! SPAK i dërgon fletëthirrje Sali Berishës, kreu i PD paraqitet të premten

Fletëthirrja është dërguar në adresën e Parlamentit, selinë e Partisë Demokratike dhe në banesën e Berishës

F.I
Dosja e ’21 Janarit’! SPAK i dërgon fletëthirrje Sali
Sali Berisha

TIRANË-Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar fletëthirrje kreut të PD-së Sali Berisha për tu pyetur për 21 janarin. Ish-kryeministri është njoftuar të paraqitet të premten në orën 10.00 si person që ka dijeni për ngjarjen. Fletëthirrja është dërguar në adresën e Parlamentit, selinë e Partisë Demokratike dhe në banesën e Berishës. 

"Për nevoja të hetimit, me urdhërin e datës 03.11.2025 “Për thirrjen e shtetasit”, është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha, i biri i Ramë dhe Shiqere, i datëlindjes 15.10.1944, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur në Tiranë dhe banues në Rruga “Mustafa Matohiti” Ndërtesa nr. 36, Hyrja nr. 1, Njësia Bashkiake nr. 2 Tiranë, me numër personal E40701031R, për tu paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011. Urdhër thirrja është dërguar në adresën e banimit të shtetasit Sali Berisha, me shkresën nr.38725.prot, datë 03.11.2025 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Praktika e thirrjes së shtetasit Sali Berisha, është dërguar nga Posta Shqiptare në adresën e sipër cituar, me zarfin me bar kod “RR79743625AA”, datë 03.11.2025″, thuhet ne fletethirrjen e SPAK.

Kujtojmë se 10 ditë më parë u paraqit në SPAK në lidhje me hetimin, ish-kreu i Partisë Demokratike dhe aktualisht kryetar i Partisë Demokratët Euroatlantik, Lulzim Basha. Basha u shpreh për mediat se ruan sekretin hetimor, ndërsa kishte deklaruar gjithçka që ai dinte rreth '21 janarit'. Asakohe Basha ka qenë ministër i Brendshëm më 21 janar të vitit 2011, kur gjatë një proteste para kryeministrisë u vranë nga plumbat e shtetit 4 protestues.

HETIMI 

SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. 

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendim e saj në nëntor 2023 i kërkoi Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. GjEDNj gjeti po ashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha dhe kërkoi që hetimet e ngjarjes duhej të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI

Poll

MOS HUMB