
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për më 19 maj seancën e radhës të gjykimit në themel të të pandehurve të dosjes "5D". Shkak i shtyrjes u bë kërkesa e avokatit të të pandehurit Redi Molla, i cili kërkoi më shumë kohë për t'u njohur me dosjen. Disa javë më parë, në seancën e kaluar, togat e zeza rrëzuan kërkesat e disa prej të pandahurve për gjykim të shkurtuar.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, se kanë lehtësuar një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, i pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC.
SPAK ka dërguar për gjykim fraksionin e parë të dosjes ku janë të pandehur ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Qato dhe Molla u arrestuan pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërsa 5 zyrtarë të tjerë u lanë në masën e arrestit “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata ka vendosur gjithashtu arrest me burg edhe për Taulant Tushën, një tjetër ish-drejtues i rëndësishëm i Bashkisë së kryeqytetit që ndodhet aktualisht në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës./ZËRI