
TIRANË- Një nga avokatet e të pandehurve në sallën e gjyqit për dosjen ‘Plumbi i Artë’, ka pretenduar se është kërcënuar nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani. Në kohën që gjykata vendosi të ndërpresë seancën për 10 minuta, avokatja e Altin Ndocit mori fjalën dhe kërkoi të merren masa urgjente ndaj Dumanit. Ajo tregoi se i akuzuari për disa vrasje e ka "paralajmëruar" se shumë shpejt është radha e saj.
"Nuredin Dumani më kërcënoi.Para se të ndërprisni seancën, ju lutem të dëgjoni edhe njëherë procesverbalin audio të seancës. Teksa po flisnit i penduari më tha 'do merrem dhe me ty, më ke ngelur ti pa vrarë'. Nuk mund të kërcënohemi kështu! Aq më tepër në sallën e gjyqit,"-tha në mbrojtje të saj avokatja.
Por ende nuk dihet se çfarë masash do të merren për mbrojtjen e saj./ZËRI