
TIRANË-Pas dy seancave radhazi në Apelin e GJKKO, sot u shpall vendimi për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i cili kërkoi lirinë nga burgu. Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën arrest me burg për kryebashkiakun Erion Veliaj. Masa ka ndryshuar për biznesmenin Elman Abule, i cili nga 'arrest me burg' është lënë në 'arrest shtëpie'. Ndërkohë e njëjta masë siguri është lënë për 3 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje. Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, janë lënë në “detyrim paraqitje”.
Pas seancës, avokati Maks Haxhia tha se SPAK nuk solli asnjë provë të re dhe se nuk mudn të lihet në burg personi më i votuar në Shqipëri.
"Nuk mund të aplikohej masa e arrestit me burg për njeriun më të votuar në Shqipëri dhe t’i thuash je person i rrezikshëm. Rrezikshmëria e personit është e lidhur me argumentin dhe mund për të kryer vepra të tjera penale, vepra të rrezikshme, ato që dëmtojnë jetën dhe shëndetin. Kurse këto lloj veprash penale me karakter administrativ. Është i njëjti material që ka qenë edhe në Gjykatën në Shkallë të Parë. Initmidim nuk është term procedural, term procedural është të prishësh provat", tha Haxhia.
Apeli sot vendosi dhe për sekuestron e llogarive bankare të bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxa. Apeli ka rrëzuar kërkesën e Xoxës dhe ka lënë në fuqi sekuestron e llogarive bankare. Bashkëshortja e Veliajt argumenton se këto para janë të rregullta me burime të ligjshme dhe jo ashtu siç pretendon SPAK.
Çfarë ndodhi në seancë?
Senca e mbajtur një ditë më parë (12 mars) zgjati rreth tre orë. Në seancë, foli edhe kryebashkiaku, i cili ka kundërshtuar provat e reja nga SPAK të njoftuara në seancën e parë më 10 mars. Provat lidhen me biseda të përgjuara gjatë kohës që Veliaj ndodhej në paraburgimin e Durrësit. Veliaj pretendon se provat janë çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen. Kryetari i bashkisë ka theksuar se përgjimet nuk përbëjnë elemente të reja të ligjshme dhe kërkoi seancë me dyer të hapura. Avokati i tij Artur Selmani deklaroi se nuk ka asnjë rrezik që në liri, Veliaj të prishë provat, të arratiset apo të intimidojë gjyqtarët.
Kryebashkiaku Erion Veliaj perj një muaj ndodhet në qeli. Ai u arrestua më 10 shkurt me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “detyrim paraqitjeje”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI