Aktualitet

Dhunimi i turistit italian në mes të Tiranës, policia procedon penalisht tetë të mitur

Ngjarja ndodhi pranë Pallatit të Kulturës, ku një 20-vjeçar italian u përfshi në një konflikt dhe pësoi dëmtime të lehta.

M.K.
Dhunimi i turistit italian në mes të Tiranës, policia procedon
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Uniformat blu kanë proceduar në gjendje të lirë tetë të mitur, të moshës 13 deri në 15 vjeç, të dyshuar për përfshirje në dhunimin e një turisti italian në qendër të kryeqytetit.

Ngjarja ndodhi pranë Pallatit të Kulturës më 29 korrik, ku gjashtë turistë nga Italia u përfshinë në një konflikt. Si pasojë, lëndime të lehta mori vetëm një 20-vjeçar.

Mediat italiane kanë raportuar për këtë rast, duke publikuar edhe dëshmitë e turistëve, të cilët pretendojnë se të miturit shqiptarë u kanë hedhur ujë, shishe dhe gurë, ndërsa më pas i kanë rrethuar duke u kërkuar para. Të rinjtë pretendojnë gjithashtu se, në momentet e para, nuk kanë marrë ndihmën e menjëhershme nga disa efektivë policie të pranishëm në zonë. Më pas, sipas tyre, kanë ndërhyrë forca të tjera të rendit, të cilat kanë bërë të mundur largimin e agresorëve.


Njoftimi i policisë

Identifikohen, shoqërohen dhe procedohen penalisht tetë të mitur, të moshës 13-15 vjeç, për plagosjen e lehtë të një shtetasi italian 20 vjeç.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me rastin e ndodhur pranë Pallatit të Kulturës, më datë 29.07.2026, ku mbeti i dëmtuar lehtë një 20-vjeçar italian, ju informojmë se:

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera menjëherë pas konfliktit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë të mundur identifikimin, shoqërimin dhe procedimin në gjendje të lirë të tetë shtetasve të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në konflikt, gjatë të cilit 20-vjeçari italian pësoi lëndime të lehta trupore.

Puna vijon për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB