
TIRANË- Ditën e nesërme për herë të parë më shumë se 30 deputetë nga Partia Demokratike do të protestojnë përpara Parlamentit Evropian në Strasburg. Gazmend Bardhi me anë të një postimi në Facebook ka treguar se çfarë pritet të ndodhë nesër ndërsa deputetja Dhurata Çupi në një interviste për A2 CNN ka dhënë më shumë detaje.
Çupi ka treguar se përveç takimeve me zyrtarë të Parlamentit Evropian, do të zhvillojnë dhe një protestë simbolike para kësaj godine, të cilën e konsideron si fushatë sensibilizuese. Madje ajo shtoi se udhëtimi drejt Strasburgut nuk do të jetë i fundit për demokratët.
“Kemi konstatuar dhe kemi denoncuar në mënyrë të vazhdueshme si opozitë, standardet e deformuara sa i takon procesit zgjedhor. Moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pra mungesën e një shteti ligjor. Kontrollin e të gjitha pushteteve nga një individ siç është kryeministri. Ka problematika pa fund që ne do të duhet të informojmë dhe sensibilizojmë opinionin ndërkombëtar
Nuk ka protestë, por ka një fushatë sensibilizimi. Grupi Parlamentar ka qenë në mënyrë të vazhdueshme në kontakte me ndërkombëtarët, për sensibilizimin për situatën në Shqipëri. Ndaj edhe në formë simbolike kemi vendosur ta zhvendosim pranë Parlamentit Evropian
Kontakte me ndërkombëtarët, fushatë sensibilizimi, shfaqjen e asaj që ndodh në Shqipëri do të duhet ta dinë në detaje edhe ndërkombëtarët.” tha Çupi.
Ndërsa Gazmend Bardhi njoftoi se Grupi i PD-së ka nisur sot vizitën zyrtare në Parlamentin Europian. Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetët Sandro GOZI dhe Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësuesë të grupit parlamentar “Renew Europe”.
Postimi i plotë i Gazmend Bardhit:
Nisëm sot takimet në Parlamentin Europian me z. Sandro GOZI, eurodeputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane, dhe znj. Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësuesë të grupit parlamentar “Renew Europe”.
Informimi i plotë mbi situatën në Shqipëri ishte në fokus të bisedës, me dy mbështetës të të ardhmes europiane të Shqipërisë. Është e paimagjinueshme për çdo mik europian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjesuar balancën mes pushteteve, dhe ka eleminuar zgjedhjet e lira.
Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ndërkohë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS, pushteti i kriminalizuar i Edi Ramës synon asgjesimin e opozitës përmes burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, duke na rikthyer 34 e më shumë vjet pas dhe duke vënë në pikëpyetje serioze demokracinë.

Nesër 23 tetor, 30 deputetë të PD do të protestojnë para parlamentit Europian në Strasburg teksa aty do te zhvillohet seanca plenare. Kjo është protesta e parë, që deputetë të një force politike do të mbajnë përpara institucioneve të Parlamentit Europian. Pas kthimit nga Parlamenti Evropian demokratët do të nisin përgatitjet për protestën e 29 Tetorit, e cila parashikohet të mbahet në qytetet kryesore me fokus paralizimin e qarkullimit./ ZËRI