TIRANË- Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me dhunimin e Eduard Kuçit nga Jozefin Marku dhe disa persona të tjerë, teksa ka ndarë pamje nga shoqërimi i këngëtarit në komisariat.
Sipas Policisë, pamjet janë filmuar pranë mbikalimit të Rinasit, ndërsa pas hetimeve u ndalua Jozefin Marku, 30-vjeç, i dyshuar për disa vepra penale, mes tyre heqje të paligjshme të lirisë, plagosje të lehtë me dashje dhe kanosje.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se Jozefin Marku dhe persona të tjerë dyshohet se kanë dhunuar 26-vjeçarin Eduard Kuçi me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Bluë bëjnë me dije se bashkë me këngëtarit është ndalur edhe një shtetas tjetër me inciale Kristjan Nikolli. Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se banesën e këtij të fundit, u gjet i fshehur ne tualet Jozefin Marku.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë ushtruar kontrolle në banesat e shtetasve: Jozefin Marku, Anton Huli, Kevin Vuthaj, Dave Preçi, Klaudio Hyseni, Kristjan Nikolli.
Uniformat blu bëjnë me dije se gjatë kontrollit të shtetasit Kristjan Nikolli u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një konflikt ndërmjet disa shtetasve, sqarojmë se:
Nga verifikimet e kryera rezultoi se pamjet ishin filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
