
TIRANË- Gazetari Artan Hoxha, ka qëndruar më shumë se 3 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u mor në pyetje për 21 Janarin, ku gjatë një proteste të Partisë Socialiste, asokohe në opozitë, mbetën të vrarë 4 protestues. Hoxha ka dorëzuar në SPAK një material audio, ku dëgjohen komunikimet që janë zhvilluar mes drejtuesve të shtetit dhe zinxhirit komandues të gardës, ditën e ngjarjes së rëndë.
Sipas gazetarit, tragjedia mund të kishte marrë përmasa shumë të mëdha, nëse zjarri mbi protestuesit do të kishte vazhduar më shumë se 7 sekonda. Sipas Hoxhës në audiopërgjim, shfaqen dhe drejtues të lartë të shtetit, që komunikojnë me drejtuesin e gardës Ndrea Prendi.
Hoxha tha se familjet e viktimave kanë shpresë se SPAK do ta zbardhë ngjarjen, ndërkohë që sipas tij me kalimin e viteve shumë prova janë zhdukur. Gazetari u shpreh se urdhri për të vrarë protestuesit është dhënë me gjakftohtësi, dhe se SPAK-un sot se pengon asgjë që të marrë në pyetje drejtuesit më të lartë të shtetit, por edhe Edi Ramën, që asokohe ishte kreu i opozitës, dhe organizatori i protestës.
“Është një audioregjistrim ku janë urdhrat e komandantit të Gardës para se të ndodhnin vrasjet, gjatë vrasjes dhe pas vrasjes. Dëgjohen të gjitha komunikimet në radio, është kanali ku kanë përdorur drejtuesit e Gardës.
Përmes kësaj kasete behet e qartë që jo vetëm ka pasur komunikim, por komunikime mes drejtuesve të gardës, është një komunikim rutinë që bëhet mes tyre, është një material 34 minuta. Janë komunikimet në momentin e vrasjeve. Momenti që kanë fiksuar njerëzit kur ndodhi vrasjet, është vetëm 7 sekonda. Brenda 7 sekonda jepet urdhri për të hapur zjarr dhe në sekondën e 7 jepet urdhri të ndalohet. Aty dalin edhe drejtues të lartë të shtetit që kanë komunikuar me drejtuesit e Gardës. Prokuroria do vlerësojë vlefshmërinë e këtij materiali dhe për cfarë do ti shërbejë atyre.
Aty është bërë e qartë, që vrasjet jo vetëm që kanë qenë me urdhër, por urdhri ka ardhur nga lart dhe urdhri është dhënë me gjakftohtësinë më të madhe. Urdhri është dhënë për të qëlluar dhe urdhri tjetër ka ardhur për të ndaluar. Nëse të shtënat do të kishin zgjatur më shumë se 7 sekonda aty do kishte ndodhur një masakër, jo se nuk ndodhi masakra, por nëse do të kishin zgjatur 30 sekonda do ishte bërë nami”, tha Hoxha.
View this post on Instagram
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme, dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi. Por deri më tani, kryedemokrati Sali Berisha, i cili do ta ketë çështjen e dytë në SPAK, nuk ka bërë asnjë koment./ZËRI