TIRANË- Reperi i njohur si Noizy dhe babai i tij, Bashkim Rajku, u paraqitën këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Bashkim Rajku është thirrur në GJKKO si dëshmitar në procesin që zhvillohet ndaj anëtarëve të bandës së Laert Haxhiut. Seanca u shty për shkak të mungesës së dy avokatëve të dy të pandehurve që kishin paraqitur raport mjekësor. Seanca e radhës u la në datën 13 maj ora 11.00.
Noizy dhe babai i tij janë në mesin e 60 dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Haxhiut, i cili po gjykohet si kreu i një grupi kriminal për 14 krime të rënda, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.
Në seancën e 22 prillit, mbrojtja e të pandehurit kërkoi thirrjen e 60 dëshmitarëve, mes tyre edhe emra të njohur. Konkretisht, avokatët e tij kërkuan të thirret si dëshmitar Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur ( për episodin e tritolit në biznesin e këngëtarit në Durrës), dhe Kleviol Ahmetaj, reperi i njohur si “Cllevio”.
Më herët, reperi Noizy është thirrur si viktimë e veprës penale, pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e lokalit dhe dyqanit të tij në Durrës. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2022, ku biznesit të reperit iu vendos lëndë plasëse. Nga hetimet rezultoi se tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut, pas sherrit që Noizy kishte pasur me reperin tjetër, Kleviol Ahmeti, të njohur me pseudonimin "Cllevio".
"Në datë 08.06.2022, në dyqanin e shtetasit Bashkim Rajku, në qytetin e Durrësit, me autorë të dyshuar: - Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë; - Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë; - Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë; - Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë.", njoftonte policisë asokohe pas ngjarjes. /ZËRI
