
TIRANË- Një qytetare ka ngritur alarmin në lidhje me djathin e ambalzhuar që kishte blerë në një pikë të "Big Market". Sipas denoncimit të bërë nga qytetarja për "OraNews", qytetarja tregon se djathi ishte brenda afatit të përdorimit, por kur e ka hapur, ka zbuluar se produkti ishte mykur brenda në kuti. Kështu që bashkë me kuponin e blerjes, qytetarja është drejtuar te ‘Big Market’ dhe ia ka treguar blerjen shitjes.

Biseda e plotë:
Qytetarja: Shikoje pak këtë djathin. E kemi blerë tek ju, ja edhe fatura.
Shitësja: Mban si erë? Mban erë të keqe?
Qytetarja: Të asfikson nga era. Mund ta hapësh. Ça ere.
Shitësja: O bobo
Qytetarja: A mund të konsumohet ajo?
Shitësja: A ishte i skaduar?
Qytetarja: Jo nuk ishte i skaduar. Ose ju nuk e mbani në temperaturën e duhur, ose është problemi i firmës. Fëmija im e konsumoi atë, e kupton?
Shitësja: Është hera e dytë kjo, ia kam kthyer të gjitha një radhë menaxherit.
Pasi iu drejtuan për informacion ‘Big Market’ me anë të një e-mail, "OraNews", njëkohësisht kërkoi informacion në lidhje me temperaturën e ruajtjes së produkteve të bulmetit. Por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
"Ne kemi insistuar për të marrë një përgjigje duke komunikuar edhe me numrin e kontaktit që ky subjekt ka te ekstrakti i QKB, por edhe kësaj herë përgjigjia e vetme e ‘Big Market’ ka qënë mospërgjigjia,"-shkruhet në artikull. Kështu, marketi nuk mban asnjë përgjegjësi për produktet e prishura që rrezikojnë jetën e qytetarëve. E po ashtu, nuk ka asnjë reagim as nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit./ZËRI