
TIRANË- Publikohet një pjesë e audios së seancës për masën e sigurisë së kryebashkiakut Erion Veliaj. Në audion e publikuar nga “Gazeta TemA”, dëgjohet kryebashkiaku Veliaj teksa sqaron çështjen e tij. Në diskutimet e zhvilluara mes kryebashkiakut dhe prokurorit Ols Dado, në një moment dëgjohet ky i fundit që i drejtohet me fjalët "s'ke turp t'i që tregon banesën e prokurorit" dhe e pyet atë nëse po e kërcënon. Por më pas është ndërhyrja e gjyqtarit Erion Bani, i cili i tërheq vëmendjen Dados.
Pjesë nga seanca:
Ols Dado: S’ke turp që thua banesën e prokurorit këtu. Thua banesën e prokurorit këtu. Çfarë është ky kërcënim është ky? Është kërcënim ky që thua banesën e prokurorit ti?
Erion Bani: Prokuor, prokuror…
Gjatë ditës së sotme kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj publikoi transkriptin e seancës gjyqësore ndaj tij, ku hodhi akuza se prokurori i çështjes Ols Dado e ofendoi. Në postimin e tij, Veliaj tha se Dado e quajti atë “ndyrësirë” dhe “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”.
Menjëherë pas kësaj reagoi Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku i hodhën poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk janë të vërteta.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI