
TIRANË- Përfundimi i mandatit të Holta Zaçajt si kryetare e Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur debat në rrjet. Duke marrë parasysh se të enjten nuk u mor asnjë vendim, të hënën është vendosur që të bëhet mbledhja e gjyqtarëve për të shqyrtuar kërkesën e saj dhe për të deklaruar përfundimin e mandatit .
Kështu, trupa e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet të hënën për të vendosor mbi mandatin e kryetares. Do të duhen 5 vota të gjyqtarëve, nga 8 që ka në organikë Gjykata Kushtetuese për të përfunduar mandatin e saj. E njëjta procedurë pritet të ndiqet edhe për për dy mandate të tjera, Elsa Toskës, e cila u dorëhoq nga posti i saj, por edhe për Sonila Bejtjan.
Por si ka nisur përplasja për Zaçajn?
Më 10 dhjetor, Gjykata e Lartë, përmes kryetarit Sokol Sadushi, këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverën (më konkretisht në mars) të vitit 2025. Duke iu referuar kohës se kur duhet ta kishte përfunduar mandatin paraardhësja e Zaçajt, Vitore Tusha, Gjykata e Lartë njoftoi shpalljen e vakancës dhe çeljen e garës për vendin e të parës së Kushtetueses. Por pas njoftimit se mandati i mbaronte në mars të vitit që po vjen, reagoi Zaçaj, e cila arsyetoi se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Ndaj në këto kushte u shpreh se ishte e gatshme që të kërkonte një mendim edhe nga Komisioni i Venecias mbi mënyrën e llogaritjes së kohëzgjatjes së afateve të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
“Siguria e mandatit kushtetues është thelbësor për vetë demokracinë”, thuhet në reagimin për shtyp të shpërndarë nga Gjykata Kushtetuese në emër të Zaçaj.
Por qëndrimi i Zaçajt për afatet u prit me kritika, ndërsa ajo u akuzua se nuk po i qëndronte asaj që kishte pranuar në aplikim në vitin 2022 që ishte e qartë, të mbante mandatin që duhet të çonte deri në fund Vitore Tusha. Por sërish,në reagim publik, Zaçaj thotë se në aplikim ajo i është referuar termave të njoftimit të vakancave të shpallura nga Gjykata e Lartë duke pretenduar se afatet e përcaktuara në këtë njoftim nuk janë të sakta dhe se as nuk janë përcaktuese. Gjithashtu u shpreh se nga media dhe të tjerë po i bëhej presion. Kjo fjali, bëri që kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi të kërkonte thirrjen e saj në Kuvend, ose në Kryesinë e Kuvendit për të shpjeguar motivet e saj dhe për të zbuluar se kush po e shantazhonte.
Por pavarësisht hapave që lajmëroi se do të merrte, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj thirri fillimisht të enjten mbledhjen e gjyqtarëve për të vendosur mbi përfundimin e mandatit të saj, pas një përplasjeje me Gjykatën e Lartë mbi afatet. Por, Gjykata Kushtetuese njoftoi se mbledhja e gjyqtarëve nuk arriti në përfundim të enjten, ndaj edhe pritet që mbledhja të zhvillohet sërish të hënën për të dalë me një vendim final./ZËRI