
TIRANË- Në mbyllje të deklaratës për shtyp pas arrestimit të Ilir Metës, Tedi Blushi u shpreh se sot mund të kishte ndodhur një ngjarje më e rëndë sesa vetëm prangosja e tij. Sipas tij, nëse Meta do vazhdonte që të ruhej nga Garda e Republikës, sot mund të kishte pasur një përplasje mes efektivëve dhe gardistëve, madje dhe e armatosur. Në fjalën e tij, Blushi gjithashtu aludoi se nuk do të habitej nëse do të kishte edhe një plan të tillë për eliminimin fizik të Metës. Teksa u ndal tek jeta e Metës, Blushi i bëri thirrje edhe të gjithë drejtuesve të burgjeve që të kujdesen për kreun e Partisë së Lirisë.
Tedi Blushi: Unë nuk çuditem që mund të ketë pasur edhe një përpjekje për eleminimin fizik të zotit Meta sot, nuk çuditëm. Sepse kemi patur një skuadër të armatosur pa mjet identifikimi që e ka ndaluar në rrugë. Mund të ketë patur edhe tenativë për ta eleminuar fizikisht, nuk cuditem. Dhe madje ju bëj thirrje të gjithë atyre drejtuesve të burgjeve të bëjnë shumë kujdes, shumë kujdes.
Nuk ka ndryshim nga ajo që kemi thënë. Sot mbledhim forumet. Linja nuk ndryshon! Sigurisht do të ketë aksion. Kemi qenë në aksion pa ndodhur kjo ngjarje, jo më tani. Aksion dhe përballje dhëmbë për dhëmbë, sy për sy. Kështu e meritojnë, siç e meritojnë armiqtë më të këqij të këtij populli.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”./ZËRI