VLORË- Një aksident tragjik me tre viktima u regjistrua mbrëmjen e të dielës në zonën e Drashovicës, në aksin Vlorë–Kotë, ku dy automjete u përplasën 'kokë më kokë'. Në aksident u përfshinë një automjet tip "Ford" me portbagazh dhe një mjet tip "Benz".
Fillimisht u raportua se si pasojë e aksidentit në rrugën Vlorë-Kote humbën jetën në vendngjarje dy drejtuesit e automjeteve, Adi Alushaj, rreth 30 vjeç, dhe Esat Brahimaj, rreth 40 vjeç, ndërsa pasagjeri 40-vjeçari Andrea Begaj mbeti i plagosur, i cili u transportua në gjendje të rëndë drejt spitalit të Vlorës.
Ndërkohë, raportohet se vetëm dy orë më pas, edhe i plagosuri nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga ky aksident tragjik.
Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, Policia e Vlorës ngjarja ndodhi "rreth orës 20:55, në vendin e quajtur “Ura e Vodicës”, në aksin rrugor Vlorë-Kotë, janë përfshirë në një aksident të rëndë rrugor dy automjete, me drejtues shtetasit A. A., rreth 30 vjeç dhe E. B., rreth 40 vjeç".
Policia dhe grupi hetimor shkuan në vendin e ngjarjes, ndërsa po punohet për të zbardhur rrethanat e aksidentit tragjik./ZËRI