Aktualitet

Protesta e opozitës/ Policia e Shtetit: 6 efektivë të lënduar, dërgohen për ndihmë mjekësore te Trauma dhe QSUT

Efektivët e dëmtuar janë pjesë e Forcave“Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe QSUT, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

l.k
Protesta e opozitës/ Policia e Shtetit: 6 efektivë të
Foto nga protesta

TIRANË- Pas incidenteve gjatë protestës së zhvilluar sot nga Partia Demokratike, ku disa militantë sulmuan efektivët e Policisë me flakandanë dhe molotovë, Policia e Shtetit njofton se 6 punonjës janë lënduar.

Efektivët e dëmtuar janë pjesë e Forcave“Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe QSUT, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në shërbim për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike ishin të pranishëm rreth 1500 forca policie të cilët shoqëruan turmën e protestuesve në çdo pikë që lëvizën nëpër kryeqytet.

Njoftimi i Policisë:

"Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.

Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit, gatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar. Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore."/ZËRI

Poll

MOS HUMB