
TIRANË- Eurodeputeti Fredi Beleri është paraqitur në Gjykatën e Tiranës, ku ka ngritur padi për shpifje ndaj ish-drejtorit të Arkivave, Ardit Bido. Seanca është në fazë përgatitore, dhe sipas avokatit mbrojtës të Belerit, ky i fundit vendosi të marrë pjesë personalisht duke qenë se ndodhet në Tiranë.
Në seancën e mëprashme të pajtimit, Beleri nuk e tërhoqi denoncimin e tij dhe vendosi ta çojë për gjykim çështjen. Ndërsa, Bido pranoi mundësinë e pajtimit, por refuzoi të tërhiqet nga deklarat për Belerin.
Sipas kallëzimit penal, Beleri pretendon se Bido ka shpifur duke përfshirë emrin e tij në masakrën e Peshkëpisë, duke e lidhur atë me grupime ultra-nacionaliste greke. Ndërsa, Bido për këtë ka thënë se deklaratat janë mbështetur me fakte të pohuara nga studiuesit grekë.
View this post on Instagram
“Nëse këtu kemi të bëjmë me figurën e Fredi Belerit, me veprat penale të Fredi Belerit, sepse nuk e di pse nuk ia themi publikut, këtu e kam hallin unë. Më shqetëson në disa aspekte, i pari është aspekti penal, ne nuk ia themi publikut që për masakrën e Peshkëpisë, Fredi Belerin e ka arrestuar policia e shtetit grek. Ka bërë hetimet shteti grek, sepse ajo e ka kapur me armë në kufi. E ka kapur me armë në kufi, e ka kapur me radio marrës në kufi, në një sulm të dytë që do bënte Mavi, që e njeh dhe shteti grek dhe shteti shqiptar si organizatë terroriste, në kufi me Shqipërinë. E ka arrestuar, ka bërë hetime, dhe unë personalisht kam dëgjuar shumë raste gjatë periudhës komuniste, që dikush arrestohet në flagrancë dhe shpëton nuk dënohet dhe madje lihet i lirë, për të kryer veprime të tjera. Patjetër pastaj Prokuroria shqiptare nuk kishte se çfarë të bënte”, ka thënë Bido në vitin 2023 në emisionin "Opinion".
Masakra e Peshkëpisë
Më 10 prill të 1994 u realizua masakra e përgjakur nga skuadro komanda “Pirro 1”, e cila përbëhej nga 7 persona të armatosur me armatim të ushtrisë greke. Autorëve të sulmit të quajtur organizata “MAVI”, u janë gjetur armët e grabitura të postës kufitare dhe janë dënuar nga drejtësia greke vetëm për “armëmbajtje pa leje” edhe pse ata vranë dy persona. Organizata ‘MAVI’ njihet si terroriste në Greqi. Komando “Pirro i Parë” u identifikua kur tentoi një sulm të dytë në Llongo që u zbraps nga ushtria shqiptare. Sulmi ndaj postës kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër ka ndodhur në 10 prill 1994. Një komando special e organizatës terroriste greke “Mavi” (Fronti për çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke ju drejtuar postës ushtarake të kufirit, ku dhe ekzekutoi komandantin e postës Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosur ushtarët e tjerë Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi./ZËRI