TIRANË- Konferenca e ish-Studentëve Europianë të Akademisë së FBI-së u zhvillua sot në Tiranë, ku morën pjesë dhe mbajtën fjalën e tyre përfaqësues të institucioneve kryesore të drejtësisë shqiptare.
Në fjalën e tij, kreu i SPAK, Klodian Braho, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar. Braho deklaroi se për SPAK, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është një çështje prioritare. Gjithashtu, ai vlerësoi edhe rëndësinë e përvojës së përbashkët të fituar në Akademinë e FBI-së.
“Për SPAK, bashkëpunimi ndërkombëtar është çështje prioritare për ne. Është shumë e rëndësishme që të njohësh institucionin që drejton. Përvoja e përbashkët në Akademinë e FBI-së bën që të jemi më profesionalë në punën e përditshme. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka ndihmuar në goditjen ndaj krimit të organizuar. Një informacion që vjen nga Shqipëria mund të ndihmojë në vendet tuaja dhe e anasjellta. Falënderoj partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin me SPAK.
Në Shqipëri kemi bërë përparim me hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë proces. Me hetimet tona kemi fituar njohuri mbi mënyrën se si organizohen grupet kriminale, si krijojnë lidhje përtej kufijve dhe se si fshehin dhe lëvizin përfitimet e tyre.
Këto njohuri mund të ndihmojnë edhe hetimet që zhvilloni në vendet tuaja. Për së paku, bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve me të njëjtin seriozitet që presim për kërkesat tona.
Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje në vendin tuaj. Një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim që zhvillohet në Shqipëri”, tha Braho.