Aktualitet

'Bankers' në Apel/ CEO kinez dhe ish-drejtori kërkojnë lirinë, Gjykata e Apelit vendos nesër për masat e sigurisë

Për këtë çështje janë lënë në arrest me burg CEO-ja aktual i kompanisë, Hongping Xiao dhe ish-drejtori, Leonidha Çobo.

F.I
'Bankers' në Apel/ CEO kinez dhe ish-drejtori kërkojnë
Leonidha Çobo dhe Hongping Xiao

TIRANË- Gjykata e Apelit vendosi të shtyjë për ditën e mërkurë në orën 10:00 vendimin për masat e sigurisë ndaj 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum”. Sipas hetimeve, "Bankers", dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme 244 milionë lekë nga kreditimi i TVSH-së gjatë viteve 2018–2019.

Të arrestuarit dolën këtë të martë para Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për të kundërshtuar masat e sigurisë të caktuara më herët nga Gjykata e Fierit. Personat akuzohen për evazion fiskal dhe pastrim parash. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së çështjes dhe kërkesës së palëve për ruajtje të konfidencialitetit.

Për këtë çështje janë lënë në arrest me burg CEO-ja aktual i kompanisë, Hongping Xiao dhe ish-drejtori, Leonidha Çobo. Ndërkohë tetë punonjësit e tjerë të kompanisë janë lënë pesë në arrest shtëpie dhe tre në detyrim paraqitjeje nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Në "Bankers Petroleum” u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm në kurriz të shtetit shqiptar. Në kuadër të hetimit u lëshuan 14 masa sigurimi, 9 u ekzekutuan dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. Edhe pse 'Bankers' nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro./ZËRI

Poll

MOS HUMB