SHKODËR- Prishja e themeleve të bujtinave në Theth të Shkodrës, shpluhurosi zakonet e vjetra, ndoshta edhe të harruara të vendit tonë; riktheu Kuvenin e burrave! Mbledhja e burrave në sheshin e Kishës së Dukagjinit, tregoi se ky Kuvend vazhdon që të mbijetojë si një nga institucionet më të lashta dhe të veçanta tradicionalisht. Kuvendet e burrave janë një institucion shumë i vjetër në Shqipëri, me rrënjë që shkojnë para shekullit XV, por dokumentimi i tyre i saktë nis nga mesjeta e vonë. Dëshmia e parë e zyrtarizuar dhe Kuvendi më i njohur historikisht, është mbajtur në qytetin e Lezhës, ku Gjergj Kastrioti – Skënderbeu bashkoi princërit shqiptarë në një aleancë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane.

Por në zonat e Veriut, tradita e kuvendeve të burrave ekzistonte që para pushtimit osman, por nuk është dokumentuar me data të sakta.
Sipas studiuesve të Kanunit dhe të antropologjisë (si Franz Nopcsa, Edith Durham, Shaban Sinani etj.), kuvendet funksiononin: për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes fiseve, ndarjen e kullotave, pyjeve dhe ujërave, pajtimin e gjakmarrjeve dhe ruajtjen e nderit. Këto janë forma të lashta vetëqeverisjeje, që mbështeteshin në fjalën, burrërinë dhe ligjin e pashkruar.
Gjatë sundimit osman, kuvendet vazhduan në mënyrë autonome dhe të pavarur nga pushteti. Në shumë raste, ato funksionuan edhe si forma rezistence ndaj autoritetit osman dhe si mjet vendimmarrjeje kolektive në zonat ku shteti osman nuk kishte kontroll real, veçanërisht në Malësinë e Madhe, Dukagjin, Pukë, Tropojë, Dibër dhe Theth. Megjithatë nuk kanë qenë një "ekskluzivitet" i Veriut, pasi dëshmi të Kuvendeve të burrave ka pasur edhe në Jug të vendit (Labëri). Në histori janë të dokumentuara kuvendet tradicionale që mbanin fise dhe bajrakë për të hartuar ose reformuar Kanunin e Labërisë. Kuvende të tilla përmenden në: Progonat (1846) dhe Mesaplik (1847).
Kuvendet nuk janë vetëm mbledhje simbolike — janë organe me autoritet të vërtetë vendimmarrës. Njihen vendime mbi pronësinë e tokës, përdorimin e pyjeve, zgjidhjen e gjakmarrjeve dhe konflikteve ndër-familjare. Ky ishte edhe rasti i Thethit. Të përballur me një valë shembjesh, banorët iu kthyen ligjeve të vjetra duke e ndjerë se nuk e kishin gjetur të drejtën tek ligjet e Kushtetutës. Me Bajraktarin e zonës në krye, kërkuan "fjalë" prej tij. Pra mbështetje!
Por "fjala" nuk iu dha! Sepse Kuvendi ka rregulla!
Të armatosur (në rastin e Thethit jo), burrat mblidhen në formë rrethore: të gjithë baraz, aq sa kryetari ulur saktësisht në qendër, sipas rregullit. Edhe Kuvendi ka rregulla. Gjuha duhet e moderuar, pa kërcënime, me gjeste të kontrolluara — çdo shprehje tashmë flet për disiplinë dhe kujdes! Në fund, pyesin "A e lamë kështu?" – dhe pjesëmarrësit flasin një nga një, në fund shumica merr vendimin, që në rastin e Thethit ishte kërkesa për dëmshpërblim ndaj qeverisë. Por edhe që askush tjetër të mos ndërtojë në pronën e tyre.
Ndërkohë që shteti po përpiqet ta fusë veriun në korniza ligjore të standardizuara, kuvendet prodhojnë rezistencë: që do të thotë që në Theth, me Kanun është vendosur që të mos ketë ndërtime nga persona të tjerë. Por në Kuvendin e Thethit kishte dhe në ndryshim; pasi në të morën pjesë edhe të zonjat e shtëpive. Zakonisht, edhe pse Kuvendet e burrave ishin 100% burrërorë, në disa raste gratë ndikonin në vendimet që merrnin burrat, sidomos për çështje gjakmarrjeje. Ka raste kur nënat, motrat apo bashkëshortet ushtronin presion emocional që burrat të heqin dorë nga gjaku, ose të kërkonin pajtim. Kjo quhej “ndikim i brendshëm i oxhakut”. Në këtë rast, edhe zonjat ishin po aq të shqetësuara se çfarë do të ndodhte me pronat e tyre, kështu me të drejtën e një Kuvendi modern, edhe ato morën pjesë për të dëgjuar, por asnjëra prej tyre nuk foli.
Në këtë rast, vendimi ishte marrë për të gjithë! Tashmë asnjë prej tyre nuk i ka shpëtuar aksionit të shembjes, e i mbetet që vetëm të "luftojnë" për të mos humbur pronat që pretendojnë se i kanë ndër shekuj, ndoshta aq sa ekziston Kanuni./ZËRI