VLORË-Incidentet në Gjykata nuk kanë fund, ku një tjetër rast është regjistruar në Gjykatën e Vlorës. Redi Llanaj, avokati i deputetes Monika Kryemadhi është arrestuar, pasi është konfliktuar me rojën e sigurisë në hyrje të gjykatës, në zonën e kontrollit të sigurisë ku qytetarët kalojnë përmes detektorëve të metaleve. Policia e akuzon atë për goditje për shkak të detyrës.
Çfarë ndodhi në dyert e gjykatës
Avokati ka tentuar të kalojë pa ndjekur procedurat e kontrollit dhe është ndaluar nga punonjësi i sigurisë. Llanaj ka kërkuar të hyjë në gjykatë duke thënë se e kishin thirrur, por roja nuk e ka lejuar duke i thënë që nuk kishte dijeni apo të ishte informuar që avokati të ishte thirrur në gjykatë. Konflikti mes Llanajt dhe 60-vjeçarit ka agravuar në dhunë fizike, ku avokati ka goditur me grusht rojen, i cili ka pësuar dëmtime në fytyrë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, shtetasin R. Ll., 42 vjeç, banues në Vlorë, me profesion avokat, pasi më datë 10.10.2025, rreth orës 12:30, në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, gjatë një konflikti, ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin në detyrë të sigurisë së objektit të këtij institucioni, shtetasin F. M., 60 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime në fytyrë. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, një incident u regjistrua në Gjykatën e Apelit, ku pak ditë më parë u vra në sallën e gjyqit, gjyqtari Astrit Kalaja. Një person ka kërcënuar rojen e sigurisë së gjykatës, pas një debati të zhvilluar mes tyre. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se qytetari Gentian Mali, është shoqëruar në polici nga forcat e komisariatit n.1./ZËRI
