
TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka folur për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe për rolin e biznesmenit Elman Abule, i cili u prangos sot gjatë aksionit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjithashtu Lala dha detaje në “News24” për përfshirjen e deputetes socialiste Klotilda Bushka, e cila gjithashtu është nën hetim nga SPAK. Gazetarja tha se biznesmeni shqiptaro-belg dyshohet për pastrimn parash përmes kompanive të tij. Sipas akuzave, ai ka siguruar leje ndërtimi me një nga firmat e tij dhe ka kryer transaksione financiare për të mbuluar orgjinën e fondeve, të cilat dyshohet se janë përfituar nga çifti Veliaj-Xoxa.
Përsa i përket, Bushkës, deputetja dyshohet se ka penguar drejtësinë, duke ndikuar tek dëshmitarët dhe nuk ka dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga prokuroria. Lala tha se socialistja ka punuar në të njëjtën zyrë me Xoxën.
Sot, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë. Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa përdorën bizneset dhe OJF për të futur paratë në banka. Po ashtu, sipas SPAK, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa në 4 vite bëri 860 mijë euro blerje online veshje dhe bizhuteri. Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI