TIRANË-Gjykata e Lartë ka firmosur një vendim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatës së Tiranës, për një çështje ku Ervis Martinaj i zhdukur prej prej 9 gushtit të vitit 2022, është nën akuzë për mbajtjen e municioneve dhe mbajtje pa të drejtë të uniformës së policisë.
Konkretisht çështja ka të bëjë me kontrollin e zhvilluar më 19 maj 2022 në hotelin 'Zeus Garden', afër Rinasit, ku Ervis Martinaj rezultoi të kishte qëndruar. Gjatë kontrolleve asokohe efektivët gjetën në dhomën 406 ku Martinaj qëndronte një pistoletë me mbishkrimin SIG, një krehër me 7 fishekë, jelekë me mbishkrimin “policia”, portofolë dhe bexha policie, maska me ngjyrë të zeze, doreza antiplumb dhe dy pranga.
Në dosjen e Gjykatës së Lartë thuhet se në hotel u gjetën sende personale si furçë dhëmbësh, ku u përftua profil gjenetik që rezultoi i përputhshëm me profilin e Ervis Martinajt. Sipas TCH, Me vendimin e datës 10 mars 2026, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka përcaktuar se kompetente për shqyrtimin e kësaj dosjeje nr. 417 të vitit 2022 është Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe jo Gjykata e Posaçme (GJKKO).
Në përfundim të hetimeve, Ervis Martinaj është marrë i pandehur për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. Ndërkohë, Armand Merlika, Ergys Merlika dhe Dea Pistolja akuzohen për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Po ashtu ai ka qenë i përfshirë edhe në dosjen Metamorfoza, arrestimet e të cilës u kryen pas zhdukjes së tij. Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, ka kërkuar zyrtarisht nga Gjykata e Lezhës shpalljen si të zhdukur të të birit. Sipas ligjit, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon nga vendbanimi i tij dhe nuk ka pasur asnjë lajm për të për më shumë se dy vite./ZËRI
