
HIMARË- Vangjel Ngjelo, aministratori i "HEC Sasaj", është marrë në hetim për çarjen e digës së hidrocentralit të Bunecit. Sipas një njoftimi të bërë me dije nga Policia sot, 68-vjeçari Ngjelo po hetohet për "shkatërrim prone". Kjo pasi nga çarja e digës është bllokuar rruga nacionale “Himarë-Sarandë”, e po ashtu janë përmbytur edhe disa banesa e biznese.
NJOFTIMI I POLICISË:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, për shtetasin V. N., 68 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dje, rreth orës 12:30, në hidrocentralin ku ai është administrator, është çarë diga, dhe si pasojë është bllokuar rruga nacionale “Himarë-Sarandë” dhe janë përmbytur disa banesa në vendin e quajtur “Bunec”.
MOMENTI I SHPËRTHIMIT:
Çarja e digës ndodhi pasditen e djeshme. Fillimisht, si pasojë, fshatrat Borsh, Piqeras, Lukovë, Bunec, Shën Vasil, Fterrë, Nivicë mbetën pa energji elektrike. Nga vërshimi i ujit, sipas Prefekturës së Qarkut të Vlorës ishin prekur 12 biznese dhe 2 banesa. Ndërkohë, Policia e Vlorës dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur faktorët që çuan në çarjen e digës. Dy janë pistat kryesore përse mund të jetë çarë diga janë ose punimet pa cilësi, apo/dhe mbingarkesa me ujë mbi kapacitetin e saj, si rrjedhojë e prurjeve të larta./ZËRI