Aktualitet

Apeli 'skenë krimi'! Autori me armë i kaloi “nën hundë” rojes, xhaxhai nxiti nipin të ekzekutonte gjyqtarin

Banush Koxhaj me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrike dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të Elvis dhe Gjon Shkambit

F.I
Apeli 'skenë krimi'! Autori me armë i kaloi “nën
Elvis Shkambi, Astrit Kalaja dhe Gjon Shkambi

TIRANË-Gjykata e Apelit u kthye në një skenë krimi mesditën 6 tetorit, ku gjyqtari, Astrit Kalaja u vra me armë zjarri, pasi u qëllua me tre plumba brenda sallës së gjyqit. Prokuroria e Tiranës ka rindërtuar dinamikën e ngjarjes së rëndë, se çfarë ndodhi brenda dyerve të Gjykatës.

Sipas Prokurorisë autroi Elvis Shkambi është nxitur nga xhaxhai i tij, Gjon Shkambi që të vriste gjyqtarin, Astrit Kalaja. Xhaxha e nip, kanë hyrë në gjykatë njëri pas tjetrit në orën 13:42, ndërsa skaneri ka sinjalizuar prezencën e armës.

Nga pamjet filmike rezulton se në ekranin e detektorit janë ndezur dritat e kuqe (që sinjalizojnë prezencën e metaleve), ndërkohë roja, Banush Koxhaj me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrike dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të Elvis dhe Gjon Shkambit apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambjentet e gjykatësKoxhaj po hetohet për “Shpërdorim detyre”.

Ndërkohë, në përfundim të seancës në fjalë, rreth orës 15:35 të së hënës, sapo është shpallur vendimi, Shkambi ka nxjerë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja. Më pas, autori i ka drejtuar armën edhe Rakip e Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët mbetën të plagosur. 

Pas vrasjes, autori Elvis Shkambi i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë i qetë në oborr, u arrestua nga shërbimet e Komisariatit  të Policisë Nr.1, Tiranë. 

Gjyqtari i ndjerë, Astrit Kalaja po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Gjon Shkambi pretendonte se ishte pronari i godinave ku jetonin të paktën 31 familje. Banorët e kishin hedhur në gjyq dhe akuzuar për marrjen e pronave. Por Shkambi pretendonte se i kishte me dokumentacione dhe i ka fituar përmes proceseve gjyqësore. Ai ka kërcënuar publikisht edhe familjarët që ishin në proces gjyqësor për godinën e ish-shkollës së rezervave në Shkodër. Por procesi gjyqësor ka vijuar me një vendim që solli përgjakje fatale. 

Një çështje pronësie e pazgjidhur prej vitesh, 'u vulos' me ekzekutimin e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe me prangosjen e palës që pretendonte prej kohësh, se prona e tyre ishte uzurpuar nga pala tjetër me dokumente të falsifikuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB