
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit ka rrëzuar ankimimin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj për sekuestrimit e telefonit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Xoxa dhe kunati i saj, Arbër Veliaj ankimuan vendimin e GJKKO për kontrollin e ushtruar në banesa dhe në qendrën ‘Harabel’.
Avokati i Xoxës, i cili dorëzoi ankimin në Apelin e Posaçëm, u shpreh se kontrollet janë bërë në shkelje të ligjit procedural për mungesë shkaku të ligjshëm.
Më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Urdhëri u dha nga hetuesi i SPAK, Olsi Dado. Më pas, së bashku me vetë Xoxën janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pavarësisht se pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po kryen hetime për një çështje, por nuk japin detaje të tjera. Vetë Veliaj u shpreh i hapur për hetimet që po kryheshin nga SPAK.
Pas kontrollit, reagoi kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit deklaroi se gjatë kontrollit që BKH ka ushtruar në zyrat e fondacionit “Harabel” të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, janë gjetur të fshehura 230 mijë euro. Në përgjigjen e tij për akuzat e ngritura, Veliaj iu drejtua Berishës, duke e quajtur atë “një hienë të xhindosur", por po ashtu paralajëmroi ankimimin që u bë sot në Gjykatë nga familjarët e tij. /ZËRI