TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” për 47-vjeçarin Edmond Jatagani, i cili alarmoi policinë duke njoftuar për vendosjen e një bombe në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë.
Prokuroria kishte kërkuar masën “arrest në shtëpi”, por gjykata vendosi një masë më të lehtë sigurie. Sipas burimeve, gjatë seancës, Jatagani ka deklaruar se do ta përsërisë të njëjtin veprim nëse nuk hiqen materialet prej polisteroli nga shkollat, të cilat sipas tij paraqesin rrezik, do të përsërisë të njëjtin veprim.
47-vjeçari u arrestua nga hetuesit e antiterrorit dhe akuzohet për veprat penale “Përhapja e rreme e informatave që ngjallin panik” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”.
Ngjarja ndodhi ditën e parë të nisjes së vitit shkollor, 14 shtator. Edmond Jatagani, përmes një telefonate anonime për një bombë në shkollën "Emin Duraku", alarmoi policinë së Tiranës. Shërbimet e Policisë u vunë menjëherë në lëvizje dhe pas kontrolleve rezultoi se në ambientet e shkollës nuk kishte asnjë bombë apo lëndë shpërthyese, dhe telefonata rezultoi të ishte një alarm i rremë.
Sipas njoftimit të Policisë, 47-vjeçari Edmond Jatagani kishte telefonuar rreth orës 06:30, duke pretenduar për terrorizëm në shkollën 9-vjeçare. Sipas bulve të kryeqytetit, nga verifikimet rezultoi më pas se 47-vjeçari e kishte publikuar informacionin e rremë edhe në rrjete sociale. Ndërkohë, sipas burimeve, pas arrestimit, 47-vjeçari ka deklaruar se telefonata ishte bërë prej tij për të provuar se sa shpejt do të reagonte Policia. /ZËRI
