
TIRANË- Aktori Gazmend Paja është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme. Pas një qëndrimi të shkurtër ai doli dhe u shpreh për mediat me nota humori se ka dorëzuar celularin e tij në Prokurori.
"Isha me prokurorin në kafe, pa dashje mori celularin tim dhe solli të tijn dhe mori timin. Nuk ia di emrin prokurorit, ishte rastësi,"-deklaroi aktori.
Ende nuk dihet shkaku i thirrjes së tij në Prokurorinë e Posaçme, por mësohet se aktori ka qenë i pranishëm edhe dy ditë më parë në SPAK.
Më herët aktori është akuzuar nga Partia Demokratike se ka përfituar statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort. Aktori i humorit është shpallur investitor strategjik, ku në bregdetin e jugut dhe kompania e tij “Ecotech Energy Services” së bashku me kompaninë “Startek” kanë marrë 133 mijë m2 tokë në Dhërmi. Vetë aktori ka pohuar se ka marrë statutin e investitorit strategjik, por theksoi se nuk ka përfituar tokë nga shteti./ZËRI