Aktualitet

Gjykata e Lartë rrëzon rekurset! Kryemadhi në 'detyrim paraqitje', Meta në qeli, kreu i PL: Shkoj në Strasburg!

Meta kërkoi lirinë, duke argumentuar se është drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe situatës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

F.I
Gjykata e Lartë rrëzon rekurset! Kryemadhi në 'detyrim
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

TIRANË-Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekurset e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe atë të deputetes Monika Kryemadhi. Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Apeli i GJKKO-së më 19 Nëntor 2024. Vendimi nuk ka ndryshuar as për deputeten Monika Kryemadhi, e cila është lënë në masën e sigurisë 'detyrim paraqitje'.

Meta në qeli prej 21 tetorit 2024, kërkoi lirinë, duke argumentuar se është drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe situatës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kryemadhi depozitoi rekursin duke e cilësuar masën të paligjshme. Pas vendimit kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta me një audio-mesazh nga burgu u shpreh se çështjen do e çojë në Strasburg, duke shprehur bindjen se do të fitojë. Meta u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë që të regjistrohen në zgjedhjet e 11 Majit, duke e konsideruar si ditë historike ku sipas tij narkoregjimi do të hidhet tek Lana.

"11 Maj, dita historike kur do të ndahemi nga narkoregjimi dhe narkodrejtësia e tij, sot për çështjen Meta hodhëm një hap pozitiv sepse kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë që nuk ekziston, në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut. Pa asnjë diskutim do të fitojmë ashtu siç kemi fituar edhe në Komisionin e Venecias kundër Ramaformës. Mos harroni se 2 Marsi po vjen dhe bashkë me të edhe 5 Dhjetori i atij mitingu të jashtëzakonshëm mbarëkombëtar patriotik në mbrojtje të Kushtetutës falë të cilit jo vetëm u çmontua Ramaforma. U bëj thirrje simpatizantëve të PL, anëtarëve, shqiptarëve patriotë kudo ku janë të gjithë drejt 11 Majit, Të gjithë bashkatdhetarët tanë të nxitojnë të regjistrohen të marrin pjesë në këtë ditë historike ku narkoregjimi do të hidhet tek Lana,"-shprehet Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Edhe pse ka kërkuar disa herë një masë më të butë sigurie, me arsyetimin se kërkon të jetë pjesë e fushatës zgjedhore, kërkesat e tij janë rrëzuar nga GJKKO.

Edhe ndaj Kryemadhit rëndojnë 3 akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish. Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe hetim pasuror për familjen e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB