VLORË- Vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak të Vlorës për vendosjen e një tarife prej 700 lekësh për një çadër në plazhet publike ka nxitur debate mes qytetarëve, të cilët e konsiderojnë çmimin të papërballueshëm.
Vendimi u miratua pasditen e së premtes vetëm me votat e socialistëve, ndërsa demokratët votuan kundër, duke propozuar një çmim më të ulët prej 500 lekësh, i cili nuk u pranua.
Përfaqësuesit e shumicës argumentuan se çmimi vendoset për të përballuar kostot e menaxhimit të plazheve publike.
Lidhur me këtë situatë, ka reaguar edhe kryebashkiakja Brunilda Mersini, e cila sqaron se plazhet publike të Vlorës do të jenë pa pagesë për qytetarët. Ajo theksoi se tarifa 700 lekëshe do të aplikohet vetëm për pjesën e plazheve që dikur i menaxhonin operatorët privatë dhe ku çadrat më parë kushtonin 10-20 mijë lekë të vjetra.
“Në sipërfaqen e plazheve të Vlorës ka 15 mijë metra pa pagesa. Pra do të thotë që në hapësirat që janë pa pagesë, bashkia ka detyrimin të vendosë çadrat dhe shezllona, gati 350 në total që do të jenë pa pagesë. Pastaj ka plazhe të tjera pa pagesë ku njerëzit mund të vendosin çadrat dhe shezlonat e tyre. Pastaj si në çdo pjesë tjetër, edhe Vlora ka plazhe publike të menaxhuara. Pra plazhet publike që dikur i kanë pasur operatorët, tashmë do të jenë të bashkisë. Bashkia do të jetë bashkë me operatorët turistikë private në ato plazhe, por e mira është se ata nuk do të mund të tarifojnë më shumë se 7 mijë lekë të vjetra. Plazhet private që tarifoheshin 10 mijë lekë të vjetra, nuk do të tarifohen më shumë se 7 mijë”, tha kryebashkiakja e Mersinit./ZËRI