Aktualitet

I zhdukur 'pa nam e nishan'! 4 vite nga imazhi i fundit i Ervis Martinajt, misteri mbi vrasjen e Brilant Martinajt

Çështja është në dorën e Prokurorisë së Lezhës, por në rreth 4 vite nuk ka një përparim konkret të hetimeve, fati i Ervis Martinajt ende nuk dihet

F.I
I zhdukur 'pa nam e nishan'! 4 vite nga imazhi i fundit i Ervis
Brilant dhe Ervis Martinaj

TIRANË-Ishte mesdita e 17 korrikut 2022 kur në mbikalimin e Fushë-Krujës Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha humbën jetën në një nga atentatet më të rënda që tronditi vendin. Makinës ku udhëtonte djali i xhaxhait të Ervis Martinajt iu bë pritë dhe breshëri kallashnikovi u gjuajt drejt tyre. Të tre humbin jetën në vend, ndërsa automjeti, pas sulmit me armë, shpërthen në flakë. 

Sot mbas katër vitesh ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët apo të implikuarit në ekzekutimin e trefishtë. Lidhur me ngjarjen janë marrë në pyetje dhjetëra persona me rekorde kriminale, të cilët kanë dhënë pretendimet e veta. Konkretisht në pyetje u morën Endrit Dokle, Ramazan Rraja, e po ashtu edhe Gentian Reci, Fation Murati, Alesio Dobrozi dhe Rohan Brahimi (i ekzekutuar në maj 2024), por përgjigjet e tyre nuk ndihmuan në hetim. Hetuesit dyshojnë se atentati me 3 viktima lidhet me përplasjen e bandave në zonën e Kurbinit, por ende nuk ka asnjë të arrestuar. 

'E vetmja shpresë' është automjeti tip “Passat” i përdorur në vrasjen e trefishtë!

Në mars të këtij viti Policia dhe Prokuroria e Tiranës arritën të identifikojnë një person nga Kosova, i cili rezulton të ketë sjellë nga Gjermania në Kosovë, makinën e përdorur në atentat. Ky person ka dhënë shpjegime në policinë e Tiranës, duke pranuar se makinën që është përdorur në vrasjen e trevishtë e ka sjellë ai nga Gjermania në Kosovë. Mjetin tip “Passat” ai ja ka lënë babait të tij në Kosovë dhe është larguar sërisht në Gjermani.

Nga ana tjetër policia ka marrë në pyetje babain dhe ai ka deklaruar se automjetin ja ka shitur një personi nga Shqipëria, të cilin nuk ishte në gjëndje ta identifikonte dot. Shitja e makinës është kryer, pa një akt juridik noterial, gjë e cila ngre dyshime të forta për kryerjen e lëvizjeve me qëllim humbjen e gjurmëve të personin që ka marrë automjetin. Pas marrjes në pyetje, dy personat babë e bir, janë lënë të lirë nga policia e Tiranës.

Por viti 2022 do të thellonte dhimbjen për familjen Martinaj! Vetëm një muaj më vonë nga ekzekutimi i kushëririt të tij, Ervis Martinaj do të zhdukej pa gjurmë. Familja Martinaj ende nuk e kishte marrë veten nga tragjedia e vrasjes së Brilantit dhe dy miqve të tij, kur iu drejtua policisë me kallëzim penal për rrëmbimin dhe zhdukjen e Ervis Martinajt. 

Martinaj i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022, ishte në kërkim nga SPAK, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Po ashtu ai ka qenë i përfshirë edhe në dosjen Metamorfoza, arrestimet e të cilës u kryen pas zhdukjes së tij. 

Çështja është në dorën e Prokurorisë së Lezhës, por në 4 vite nuk ka një përparim konkret të hetimeve, fati i Ervis Martinajt ende nuk dihet. Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, ka kërkuar zyrtarisht nga Gjykata e Lezhës shpalljen si të zhdukur të të birit. Sipas ligjit, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon nga vendbanimi i tij dhe nuk ka pasur asnjë lajm për të për më shumë se dy vite.

Prokuroria e e cila po ndjek hetimin e zhdukjes misterioze të biznesmenit Ervis Martinaj, ka konfirmuar që Martinaj ka komunikuar me xhaxhain e tij, përmes aplikacionit “Telegram”. Mesazhi është dërguar pasditen e 9 Gushtit, nga Martinaj në orën 19:21, duke njoftuar xhaxhain e tij, Rakip Martinaj, me përmbajtjen:…Kujdes, se mund të ketë kontrolle….

Ky mesazh, pas 3 minutash është parë nga gruaja e Rakipit, Lavdie Martinaj, e cila është dhe nëna e Brilantit të ekzekutuar në 17 korrik 2022, në masakrën e Fushë-Krujës. Ishte ajo që i kthey përgjigje në orën 19:24: ...A je mirë? Nga kush nga policia apo nga…?

Por nuk mori më asnjë përgjigje!

Hetimet janë kufizuar në marrjen e pamjeve të fundit filmike, ku u pa Martinaj dhe pyetjen e personave që kishin dijeni për rastin, përfshirë ish-efektivin e forcave operacionale, Jeton Lami që e shoqëronte ditën e fundit para zhdukjes. 

Më 5 Gusht 2022 Lami dyshohet se e ka marrë Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e ka transportuar atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel, ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin. 

Hetimet zbuluan më vonë se ai nuk ishte vetëm personi i fundit që shoqëroi Ervis Martinajn, por edhe i fundit që kishte takuar Brilant Martinajn para se ai të ekzekutohej në Fushë-Krujë. Jeton Lami u arrestua, u dënua dhe më pas u lirua, por asnjë detaj i ri lidhur me ngjarjet e bujshme.

Teksa detaje të reja priten prej vitesh lidhur me zhdukejn e Martinajt, SPAK po mbyll dosjet në mungesë të tij dhe në GJKKO vijon gjyqi për sekuestrimin e pasurive të tij. Mustafa Martinaj është paraqitur disa herë në GJKKO për procesin mbi pasuritë e të birit, ku SPAK kërkon konfiskimin e 34 pasurive të Ervis Martinajt dhe personave të lidhur me të, me vlerë rreth 10 milionë euro, me akuzën se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Nga ambjentet e GJKKO, Mustafa Martinaj është shprehur se djali i tij është vrarë në Durrës, teksa thekson se ka folur para Byrosë Kombëtare të Hetimit 2 muaj pas ngjarjes.

Edhe pse i zhdukur, emri i Ervis Martinajt del në çdo bisedë që është zbardhur nga aplikacioni 'SkyECC', të lidhur me grupe kriminale në vend. 4 vite heshje dhe as sot nuk ka ende një person që të flasë apo të hetohet lidhur me dy rastet e bujshme në familjen Martinaj...

Poll

MOS HUMB