Aktualitet

2026 - Viti i ri, Drejtësi e re!

“Tempujt" e drejtësisë nuk janë më të njëjtë.

Zhuljeta Llani
2026 - Viti i ri, Drejtësi e re!
Klodian Braho dhe Altin Dumani

"Përballje, tranzicion, por jo drejtësi të përfunduara...", Me këto tre terma mund të përmblidhet Drejtësia shqiptare e vitit 2025, drejt vazhdimësisë dhe pritshmërive të larta për vitin 2026.

Viti 2025 shënoi historinë për përballjen e çështjeve të mëdha dhe emrave të fuqishëm, deri në nivelet më të larta shtetërore. Duket si një përgatitje terreni për vitin e ardhshëm, teksa priten përgjigje vendimtare për të shënuar një tjetër vit historik.

Me hyrjen e vitit të ri, sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka shënuar ndryshime të rëndësishme institucionale. "Tempujt" e drejtësisë nuk janë më të njëjtë. Emërime të reja në role kyçe deri te krerët e institucioneve, por me qëllimin e njëjtë, forcimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ngritjen e profesionalizmit në gjyqësor.

Kreu i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH)

Një nga zhvillimet më të bujshme ishte zgjedhja e drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), institucion i konsideruar si “FBI-ja shqiptare” që punon ngushtë me Prokurorinë e Posaçme.

Pas një gare 4 mujore, më datë 9 dhjetor, Joni Keta u zgjodh si drejtues i ri i BKH-së nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) me unanim 11 me zero. Mandati i Ketës në krye të BKH-së do të jetë 5-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi. Joni Keta u përzgjodh nga SPAK mes një liste prej shtatë kandidatësh, ku përfshiheshin edhe Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.

Kush është Joni Keta?

Keta, 37 vjeç, ka shërbyer më parë si oficer policie gjyqësore dhe më pas si zëvendësdrejtor dhe drejtues i komanduar i BKH-së. Ai është djali i prokurorit Hysen Keta dhe i profesoreshës së njohur Majlinda Keta, Nga ana e babait, Joni Keta është dhe nipi i Myslym Ketës, i cili për kontributin e tij të shquar në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare është nderuar me titullin “Hero i Popullit”.

"Puna" e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), nuk përfundon këtu. Pas zgjedhjes së kreut të "FBI-së shqiptare", vetëm dy ditë më vonë, u përball me një tjetër zgjedhje të vështirë, atë për kreun e ri të SPAK.

Kreu i ri i Strukturës së Posaçme (SPAK)

Mëngjesi i datës 11 dhjetor 2025, do të mblidhte përfaqësues të lartë të BE-së dhe SHBA-së, të cilët zbarkuan në dyert e KLP-së që prej orës 09:00,  për të monitoruar nga afër mbledhjen për zgjedhjen e kreu të ri të SPAK.  Pas një mbledhjeje që zgjati 6 orë, me intervistimin dhe prezantimin e platformës së 4 kandidatëve, prokurori Klodian Braho u zgjodh kreu i ri i SPAK. Klodian Braho u zgjodh me 7 vota pro nga KLP, në një garë me 3 kandidatët e tjerë: Elvin Gogaj, Adnand Xholi dhe Doloreza Musabelliu.

Klodian Braho do të ketë një mandat 3-vjeçar si drejtues i SPAK, duke pasuar në këtë detyrë Altin Dumanin, të cilit i mbaroi mandati më 18 dhjetor. Më datë 19, Braho mori zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave. Ndërsa më 22 dhjetor, u zhvillua ceremonia e kalimit të detyrës, ku Altin Dumani I kaloi ‘stafetën’ kreut të ri, Klodian Braho.

Por, Braho e nisi detyrën 3 ditë para se të merrte “çelsat” e SPAK, duke u përfshirë në një prej çështjeve më të mëdha dhe të rëndësishme të ditëve të fundit, atë zv.kryeministres Belinda Balluku. Konkretisht, Braho mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, me qëllim arrestimin.

Paraditen e 19 dhjetorit, Braho u paraqit në ambietet e Kuvendit, aty ku zhvillohej mbledhja për çështjen “Balluku”, që u mbyll pa një dhe datë për mbledhjen e radhës.

Kush është Klodian Braho?

Klodian Braho, i emëruar prokuror në vitin  2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho njihet prokurori i ftohtë i “Jakave të bardha”, dhe i dosjeve "të nxehta", që nga çështjet e inceneratorëve, "5D", "Toyota Yaris", te dosjet e abuzimeve me fondet publike e pastrimit të parave.

Zhvillime të rëndëishme ka pasur edhe në dyert e Gjykatave, kryesisht në atë Kushtetuese, e cila ka pasur vëmendjen më të madhe. Në prag të vitit të ri, Gjykata Kushteuese ka "firmosur" vendimet më të rëndësishme që shënjuan 2025-ën dhe i japin start të ri 2026-ës.

Në vitin 2025, largimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve krijuan boshllëqe, duke rrezikuar edhe marrjen e vendimeve të rëndëishme. Gjykata e Lartë, Kushtetuese dhe ajo e Apelit, u boshatisën, duke shtyrë proceset dhe vendimarrjet

Gjykata Kushtetuese ishin ndër institucionet më të goditura, por gjatë këtij viti, vakancat nisën të plotësohen me emërime të reja.

Asim Vokshi – Gjykata Kushtetuese

Një nga emërimet më të rëndësishme të vitit ishte ai i Asim Vokshit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i zgjedhur nga Gjykata e Lartë. Me një mandat të ploë 9-vjeçar, Vokshi do të zëvendësojë Holta Zaçajn, e cila mban edhe detyrën e kryetares së këtij institucioni, mandati i së cilës ka mbaruar që në muajin prill. Ikja e saj do të bëjë që gjykata të zgjedhë edhe një kryetar të ri, teksa përkohësisht drejtohet nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari.

Fiona Papajorgji - Në krye të Gjykatës Kushtetuese

Fiona Papajorgji është emëruar kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Ajo u zgjodh në këtë detyrë më 18 dhjetor 2025 për një mandat 3‑vjeçar, duke zëvendësuar Holta Zaçajn, të cilës i përfundoi mandati më parë këtë vit. Fiona Papajorgji ishte kandidatura e vetme në garën në garën për kryetare të Gjykatës Kushtetuese. Papajorgji është zgjedhur anëtarja e katërt e Gjykatës Kushtetuese në 2019 dhe do të qëndrojë në detyre deri në 2028.

Ndonëse 2025 ishte viti i provave dhe sfidave, viti 2026 pritet të jetë viti i verdikteve përfundimtare. Një sërë çështjesh, dosje të zvarrtura që pritet të marrin përgjigje gjatë vitit të ardhshëm.

Por, cilat janë çështjet më të rëndëishme që u hetuan dhe janë ende nën hetim...?

1) Inceneratorët - Një nga dosjet më të mëdha të korrupsionit

Çështja e inceneratorëve të Tiranës, Elbasant dhe Fierit është një nga hetimet më komplekse, që ka çuar edhe në arrestimin e zyrtarëve të lartë, të cilët u vunë nën akuzë dhe më pas u dënuan për korrupsion dhe abuzim me detyrën.

Ish-sekretari e Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, njëherazi edhe ish-deputeti i PS, Alqi Bllako, dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ishin dy nga zyrtarët më të lartë të hetuar, arrestuar dhe dënuar për çështjen e inceneratorëve. Po për këtë dosje është shpallur në kërkim ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj, i cili është nën hetim nga SPAK për aferën e inceneratorëve dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në kuadër të dosjes së inceneratorëve.

Më 4 nëntori, GJKKO vendosi lirimin e Bllakos pasi është vendosur shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe është urdhëruar lirimi i tij nëse nuk ka masë tjetër. Kjo pasi masa e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit për Bllakon. Ndërsa më 11 dhjetor, u lirua nga burgu Lefter 4 vite pas arrestimit të tij.

-Inceneratori i Tiranës është ndër dosjet më të ndjekurat në sistemin gjyqësor për korrupsion në financat publike dhe pritet të jetë një çështje kyçe gjatë vitit 2026.

- Inceneratori i Elbasanit vijon të jetë në hetim. Hetimet lidhen me shpërdorim detyre, ndotje të mjedisit, zjarrvënie në landfill.

-Ndërsa inceneratori i Fierit ka kaluar fazën e hetimit dhe po gjykohet. Dosja është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.

2) Dosja “5D”  - Skema të dyshimta në Bashkinë e Tiranës

Dosja e bujshme “5D” ka kaluar nga faza e hetimit në faza të tjera të procesit gjyqësor, por gjithsesi mbetet një çështje aktive që do të ndiqet edhe në vitin 2026. "5D" lidhet me akuzat për prokurime publike dhe favorizime në procedurat e tenderave në Bashkinë e Tiranës, Hetimet e SPAK çuan në arrestimin e disa drejtorëve që lidhen me firmën “5D Konstruksion”, për akuza si abuzim me tenderë, korrupsion dhe pastrim parash. 

3) Gërdeci - 17 vite pa drejtësi, por proceset nuk kanë mbaruar

Çështja "Gërdeci" është një proces gjyqësor që ka vazhduar prej vitesh me seanca të shumta dhe shtyrje të vendimeve. Ish‑ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është njëri prej të pandehurve kryesorë nën akuza për "shpërdorim detyre". Seancat janë shtyrë disa herë dhe gjyqi pritet të vijojë edhe në vitin 2026.

4) Arben Ahmetaj - Arratia "s'ndal" hetimet

Dosje aktive në 2026 është edhe ajo ndaj ish-numrin 2 të qeverisë Arben Ahmetaj, lidhur me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në disa projekte dhe privatizime, si dhe dosjen “Buka. SPAK ka zgjatur afatin e hetimit për këtë çështje deri më 22 mars 2026, për të përfunduar mbledhjen e provave dhe veprimet e tjera hetimore. Hetimi përfshin inceneratorët, por edhe çështje të tjera si korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

5) Erion Veliaj - I arrestuar, i shkarkuar, por edhe i rikonfirmuar

Çështja e Erion Veliajt konsiderohet një nga më të rëndësishmet në drejtësinë shqiptare, kjo për shkak se detyrës së tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, një nga pozitat më të larta publike në Shqipëri. Procesi gyqësor do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2026.

Veliaj po përballet me 9 akuza që përfshijnë korrupsion, shpërdorim fondesh publike, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe abuzim me detyrën. Arrestimi i tij mesditën e 10 shkurtit 2024, tronditi politikën dhe publikun, ndërsa procesi gyqësor do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2026. Deri më tani, cështja "Veliaj" është përplasur në dyert e gjykatave, por jo vetëm, edhe me vetë Qeverinë, deri sa foli Kushtetuesja për të rikonfirmuar në krye të Bashkisë më të madhe të vendit.

6) Belinda Balluku - Në detyrë "e veshur" me imunitet, SPAK kërkon "kokën" e saj

Një tjetër çësthje që ka tronditur publikun, politikën dhe themelet e drejtësisë shqiptare është ajo e numrin të qeverisë, Belinda Balluku, e cila është marrë për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe është marrë zyrtarisht nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe. Brenda një afati ati një mujor, Balluku u pezullua nga GJKKO dhe u rikthye në detyrë nga Kushtetueja. Megjithatë, SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit nga Kuvendi, me qëllim arrestimin. Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit nuk doli me një vendim, teksa palët kanë kërkuar të njihen me provat dhe mbledhja e ardhdhme në një datë ende të pacaktuar, por me shumë mundësi mbetet për vitin 2026.

7) AKSHI përfundon në SPAK- “Fundosen” drejtorët

Së fundmi, një tjetër dosje ka tronditur dhe vë sërish në provë drejtësinë shqiptare, pasi SPAK nisi një hetim të gjerë për abuzime me procedurat e tenderave të AKSHI-t. Akuza për azbuzime, kushte favorizuese dhe elementë të dhunës e të pengmarrjes, çuan në masa arresti me burg dhe shtëpiak.

GJKKO ka lënë në fuqi masën 'arrest shtëpie' për drejtuesen e AKSHI-t Mirlinda Karcanaj dhe zv/drejtoreshën Hava Delibashi. Për drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, GJKKO ka lënë në fuqi masën “pezullim nga detyra”, ndërsa ka hequr masën “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Ndalimi për të dalë jashtë shtetit mbetet në fuqi për Andis Papën, Gëzim Hoxhën dhe Rogers Rrytën.

Ndërkohë në kërkim me masën arrest me burg janë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Gjatë hetimeve u zbulua se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermail Beqirin dhe me ndihmën e policisë, kanë marrë peng Gerond Meçen, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSHI dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara. 

Si përfundim, mund të themi se janë një sërë çështjesh që presin të marrin përgjigje. Çështje të një rëndësie të lartë, pasi përfshihen emra të niveleve ndër më të lartat shtetërore, që do jo vetëm presin të marrin zgjidhje, por njëkohësisht do të vënë në provë drejtësinë shqiptare.

Pra, viti 2026 do të jetë ai i verditkteve! Por, natyrshëm të lind pyetja: A do të guxojë drejtësia shqiptare t’i shkojë deri në fund dhe të vedosë barazi para ligjit…edhe kur përballë ka ‘koka’ shtetërore?!

Poll

MOS HUMB