Aktualitet

180 mijë £, një lidhje 9-vjeçare...si erdhi fundi tragjik? Refit Buzi vrau prindërit e ish-partneres dhe më pas veten

Sot çifti Plaka u përcoll në banesën e fundit, ndërsa ceremonia mortore për Refit Buzin do të mbahet nesër.

F.I
180 mijë £, një lidhje 9-vjeçare...si erdhi fundi
Refit Buzi

ROSKOVEC-Një ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik, ku mëngjesin e 24 korrikut Refit Buzi 35-vjeç vrau me armë gjahu ish-vjehrrin, Kosta Plaka dhe plagosi ish-vjehrrën, Belere Plaka. Kosta Plaka ndërroi jetë në vend, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pas ngjarjes 35-vjeçari mori peng ish-partneren e tij, Rozalinda Plakun dhe u fsheh në fshatin Cukalat të Beratit. Rozalinda Plaka u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit të policisë teksa po zhvilloheshin negociata me Refit Buzin, i cili kishte me vete edhe armën e zjarrit. Pavarësisht negociatave të pandërprera me efektivët e Policisë së Shtetit, që zgjatën rreth shtatë orë, 35-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe i dha fund jetës duke kryer vetëvrasje.

Lidhja 9-vjeçare mes Buzit dhe vajzës së familjes Plaku dhe shuma prej 180 mijë paund

Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal në Britaninë e Madhe dyshohet se u bënë shkak fillimisht për ndarjen mes Refit Buzit dhe Rozalinda Plakës, ngjarje e cila ditën e premte përfundoi me 3 viktima.

24-vjeçarja vijonte studimet për infermieri në Tiranë, ndërsa autori ishte kthyer nga emigracioni pas disa vitesh në Angli. Dyshja kishin një lidhje 9-vjeçare. Konfliktet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme, ku sipas familjarëve të vajzës, Refit Buzi i njohur edhe si Nertil Buzi i ka drejtuar të resë edhe armën, ndërsa u vu në arrest disa herë, duke u liruar sërish. 

Nga ana tjetër prindërit e Refit Buzit gjatë një interviste për mediat ditën e djeshme (24 korrik) hodhën akuza ndaj familjes Plaka, duke deklaruar se djali i tyre i kishte dërguar Rozalindës rreth 180 mijë paund gjatë kohës kur jetonte në Britaninë e Madhe, para që familja e saj refuzoi t’ia kthente. Prindërit e 35-vjeçarit deklaruan se mosmarrëveshja për këtë shumë monetare ka qenë në qendër të konfliktit mes palëve.

"Mua s’më thotë gjë, vetëm punë lekësh.. Iku çuni andej, pastaj u shkëputën. Ajo iku në Tiranë. Ky i dërgonte paratë që andej, nga Anglia. E denoncoi ajo, e futën çunin brenda dhe ndenji 4 muaj. Ata duheshin me njëri-tjetrin, por më pas u zunë. Ne kishim bërë dhe fejesën, por pastaj nuk donte më ajo. Nuk e di pse e la, por pse i mori lekët? Fliste në telefon me çupën dhe ajo i thoshte: nuk më lë babi me mamin të të jap lekët"-deklaruan prinërit e Refit Buzit.

“Po bënte 3 vite që ishte kthyer në Shqipëri. Se është marrë dhe me mua nëpër spitale. Ishte mbrëmë në shtëpi. U ngrit herët në mëngjes, mori dhe çiften pas dere. Nuk e pamë. E ka marrë që në darkë i bie. Kur erdhi policia këtu, na kërkoi çiften, e pamë nuk ishte. Ai ishte në hall të madh. I kemi rënë disa herë në telefon djalin, dhe nuk e ka hapur. A ka vdekur kush nga ata? Nuk dimë çfarë t’i themi më. Edhe po të kisha vdekur tani, nuk kam ça them me. Nuk e mendoja kurrë tërë jetën. Po shkoj 82 vjeç dhe nuk e kisha menduar kurrë. Ajo vajza thoshte që unë dua, por s’më do babai me nënën. I kam thënë djalit; këto të ardhura i ndani në gjysmë, por prindërit e saj nuk kanë pranuar”, ka deklaruar babai i 35-vjeçarit.

35-vjeçari në 2022 u mor peng në Angli nga 7 shqiptarë, për një shumë prej 400 mijë paundësh. Asakohe u raportua se autorët e pengmarrjes ishin pjesë e një grupi kriminal nga Vlora që kontrollonte disa shtëpi bari ngritur Mancester dhe qytete të tjera të Anglisë. Buzi u keqtrajtua për 12 ditë.

Sot çifti Plaka u përcoll në banesën e fundit, ndërsa ceremonia mortore për Refit Buzin do të mbahet nesër.

Hetimet për ngjarjen tronditëse vijojnë, ndërsa dëshmia e Rozalinda Plakës pritet të hedhë dritë mbi këtë ngjarje, ku mbetën të vrarë prindërit e saj dhe ish-partnerit./ZËRI

Poll

MOS HUMB