KLOS-Policia ka zbardhur grabitjen e ndodhur në një pikë karburanti në Klos, ngjarje e ndodhur më 3 nëntor. Në pranga janë vendosur dy autorët Julian Mosha, 22 vjeç, dhe Mateo Devole, 21 vjeç. Dy të rinjtë reth orës 01:10 ushtruan dhunë ndaj punonjësit të karburantit, shtetasit me inicialet S. M., dhe më pas i kanë marrë xhiron e turnit.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet vjedhja me dhunë e xhiros ditore të një pike karburanti në Klos.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Mat, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër.
Identifikohen, kapen dhe arrestohen 2 autorët e dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, rreth orës 01:10 të datës 03.11.2026, kanë marrë njoftim se në Klos, dy shtetas të paidentifikuar kishin ushtruar dhunë ndaj punonjësit të një pike karburanti, shtetasit S. M., dhe më pas i kishin vjedhur një shumë parash (xhiron e turnit).
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, në bashkëpunim me ato të DVP Dibër, kanë organizuar punën për zbardhjen e rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i hetimeve intensive, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, u bë i mundur identifikimi i dy autorëve të dyshuar të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 Tiranë, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve :
- J. L., 22 vjeç, banues në fshatin Dars, Klos
- M. D., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësit të karburantit dhe më pas i kanë vjedhur xhiron e turnit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.