
TIRANË- Viti mbyllet për pak javë, ndaj siç është kthyer traditë tashmë, duhet zgjedhur personazhi kryesor për 2023. ZËRI ka bërë një përzgjedhje të personazheve që kanë merituar që të futen në listën e më të rëndësishmëve të vitit.
Të gjithë të shoqëruar me motivacionin përkatës. Personazhet janë të të gjithë fushave, duke nisur nga njerëz të thjeshtë, politikanë, por edhe sportistë dhe këngëtarë që e kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë. ZËRI ua liston të gjithë dhe ju vendosni se cili, sipas jush, është "Personazhi i vitit 2023".
Djemtë e Kombëtares
Për herë të dytë në histori, Shqipëria do të jetë në kampionatin europian "Euro2024". Sigurisht që përveç trajnerit, merita është e të gjithë djemve kuqezi që dhanë shpirtin e tyre në fushën e blertë për 90 minuta.
Dua Lipa
Prej vitesh, Dua Lipa i kalon pushimet e verës në Shqipëri. Përveç faktit që e përmend Shqipërinë në thuajse çdo dalje të saj, e gjithashtu promovon libra shqiptare (Kadare), sjell edhe turistë në vendin tonë.
Rita Ora
Këngëtarja me famë botërore ka lajmëruar se do të xhirojë një dokumentar për të rinjtë në Kosovë. Po ashtu, ditëlindjen e saj, e kaloi në Prishtinë, duke sjellë edhe bashkëshortin e saj, Taika Ëaiti.
Mira Murati
E lindur në Vlorë por e rritur në Itali dhe SHBA, Murati është kthyer në shqiptaren më "cool" të momentin. Ajo filloi karrierën e saj profesionale si analiste verore në gjigantin e investimeve Goldman Sachs. Murati ka mbajtur pozicione duke përfshirë Menaxher të Lartë të Produkteve për Modelin X në Tesla dhe Zëvendës Presidente e Produkteve dhe Inxhinierisë në Leap Motion. Në vitin 2018 ajo më pas iu bashkua OpenAI. Ajo ka mbajtur pozicionin e CTO që nga maji 2022 dhe është përgjegjëse për zhvillimin e ChatGPT, ndër të tjera.
Afrim Bunjaku
Oficeri i Policisë së Kosovës humbi jetën në sulmin e ndodhur në Banjskë. Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas, ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën Bunjaku. Ai është dëshmori më i ri për atdhe.
Sylvinho
Si futbollist, 48-vjeçari ka pasur një karrierë të shkëlqyer, duke veshur fanellat e klubeve si Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona e Manchester City, ndërsa prej 2011-ës ka varur këpucët në gozhdë, për t’iu përkushtuar trajningut. Suksesin më të madh e ka arritur me Shqipërinë, duke na kualifikuar në "Euro2024".
Viktor Troboloni
45-vjeçari me origjinë shqiptare është kthyer në hero, pasi ndaloi një pasagjer i cili tentoi të hapte derën e avionit në një lartësi mbi 9 mijë metra, gjatë fluturimit Tel Aviv-Londër. Ai e ndaloi burrin duke e goditur me kokë për ta rrëzuar në tokë.
Altin Dumani
Kreu i SPAK është kthyer në një nga personazhet më të komentuar në vend. Goditjet e ministrave, ish-ministrave, zyrtarëve të lartë dhe çmontimi i grupeve kriminale; të gjitha i janë atribuuar Dumanit. Popullariteti i tij është shumë herë më i madh sesa paraardhësi i tij, Arben Kraja. Por a mjafton kjo për t'u zgjedhur personazhi i vitit?
Argita Malltezi
E bija e kryedemokratit Sali Berisha është përmendur shumë së fundmi. Sa për akuzat ndaj të atit dhe bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezit, por edhe për angazhimin e saj në politikë. Edhe pse nuk e ka pranuar kurrë publikisht, as ajo dhe as i ati, sërish Malltezi po projektohet si kryetarja e ardhshme e Partisë Demokratike.
Fisnik Qosja
Është një nga shumë pak kandidatët e Partisë Demokratike që janë zgjedhur si kryebashkiakë në zgjedhjet e majit. Edhe pse ishte një rezultat i papritur dhe kutitë u numëruan deri në fletën e fundit, Fisnik Qosja ia doli që të zgjidhej kryebashkiak i Kavajës.
Taulant Balla
Me ardhjen e tij në krye të Ministrisë së Brendshme ka pasur një sërë nismash dhe aksionesh për goditjen e grupeve kriminale. Puna e tij deri më tani, është vlerësuar me nota pozitive.
Benet Beci
Për herë të parë, Shkodra po qeveriset nga një kryebashkiak i majtë. Ngjarje që nuk kishte ndodhur asnjëherë në pluralizmin politik.
Aleks Vishaj
Personazh kontravers i TikTok, por në dhjetra raste ka mbledhur para për persona që kanë qenë në nevojë për operacione urgjente. Me lojrat e tij në rrjetin social, është gjendur pranë njerëzve në nevojë. Një prej personave që ndihmoi ishte Klevis Gjeluci, i cili u aksidentua duke rrezikuar jetën. Falë ndihmës së Vishajt dhe shumë donatorëve të tjerë, ai u kurua në Itali.
Dionis Avdiaj
22-vjeçar shqiptari ka qenë lajmi i parë në mediat greke për shkak të një akti të jashtëzakonshëm heroik. Ai ka shpëtuar një fëmijë teksa kishte mbetur vetëm brenda shtëpisë së tij të mbuluar nga flakët.
Propozimet tona janë të listuara më lart, tashmë ju mbetet vetëm të votoni. Kë do zgjidhni për Personazhin e Vitit 2023?!/ZËRI