
TIRANË- Rruga “Adem Jashari”, e pozicionuar pranë Liqenit Artificial do t’i bashkohet planit të urbanizimit të Tiranës. Arkitekti zviceran Valerio Olgiati ka zbuluar se pikërisht në këtë rrugë do të ndërtojë tri kulla të kuqe dhe një zigurat të bardhë. E parë në dizajnin e publikuar nga Olgiati, duket se është planifikuar që rruga “Adem Jashari” të jetë një shesh i hapur me kullat në mes dhe të rrethuara me pisha që do të bëjnë lidhjen me Parkun e Liqenit. Kullat do të jenë me ngjyrë të kuqe dhe në pamje të parë do të duken si grumbullim blloqesh. Edhe një pjesë e verandave do të mbillet me pisha për të dhënë idenë e një kopshti të ngritur. Këto kulla do të ofrohen për një shumëllojshmëri përdorimesh, si apartamente rezidenciale, hotele e njësi tregtare. Gjithsesi në faqen Archdaily nuk jepen të tjera detaje për zhvillimin e këtij projekti që siç duket është ende në letër, dhe është herët për të folur për kompanitë që do të marrin përsipër ndërtimin e tyre.