
TIRANË- Debati për votat e Diasporës vijon ende. Në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ është diskutuar mbi bllokimin e numërimit të votave nga Greqia. KAS ka vendosur që ta shtyjë marrjen e një vendimi duke i lënë të pahapura kutitë me vota nga Greqia.
Komisionerët e Partisë Demokratike nuk lejojnë procesin e numërimit, pasi opozita pretendon se kutitë janë mbushur nga patronazhistët dhe se votat nuk janë plotësuar vërtet nga qytetarët emigrantë. Përfaqësuesi i PD, Marash Logu tha se procesi në Greqi ka pasur parregullsi. Nga ana tjetër përfaqësuesja ligjore e PS-së, Elena Xhina, ka deklaruar se duan që procesi i numërimit të votave të Diasporës, konkretisht të atyre të Greqisë që janë administruar, të numërohen. Në mes të këtij debati, ka ardhur edhe një përgjigje nga kompania postare DHL e cila i është përgjigjur KQZ-së pas kërkesës për të dhënë sqarime lidhur me disa problematika të konstatuara në Greqi. Në shkresën që mban datën 9 maj, DHL thotë se numri i zarfeve të dorëzuara në Greqi është 61 106, ndërsa të tërhequra janë 52 944.