
KOLONJË- Bashkia Kolonjë që drejtohet nga Erion Isai duket se këtë vit, kuotat për të pastrehët që duhet t’i përfitojnë qytetarët që janë në kërkim të blerjes së një vendstrehimi, i ka rezervuar për stafin e saj. Avokati Esmerald Xhafa ka publikuar dokumente në profilin e tij në Facebook, ku shihet se si Enea Jorgji, i cili mban postin e Drejtorit të Ujësjellësit në Bashkinë Kolonjë dhe bashkëshortja e tij, e cila punon si Sekretare e Këshillit Bashkiak, janë deklaruar të pastrehë. Edhe Petro Kristo, i cili ka pozicionin Drejtor Pyjor dhe bashkëshortja e tij që punon në Bashki janë po ashtu të pastrehë. Administratori i Njësisë Administrative të Leskovikut, Leonard Konica është deklaruar i pastrehë gjithashtu. Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai aktualisht po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për dy çështje të tjera që lidhen me abuzime me fondet e rrugëve dhe një ujësjellësi në këtë bashki. Më 30 maj të vitit 2023, ai u pyet nga Prokuroria e Posaçme për një tender rruge, çështje për të cilën është kallëzuar po nga Esmerald Xhafa, për dyshimin se ka kryer disa vepra penale "Shpërdorimi i detyrës", "Korrupsion pasiv dhe aktiv", "fshehje e pasurisë" dhe për "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike". Në lidhje me këtë çështje, Isai u paraqit sërish në SPAK disa ditë më parë. Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme tha se në fakt kishte dhënë disa shpjegime shtesë për çështjen e vitit 2023, por nuk ndau detaje me gazetarët për shkak të sekretit hetimor.