TIRANË-Një ditë më parë GJKKO shpalli dënimet për të pandehurit e dosjes së parë Metamorfoza, ku përfituan lirinë ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-kreu i operacionales Oltian Bistri. Lirimi i ish-shefit të Operacionales dhe ish-prokurorit do të kundërshtohet nga SPAK. SPAK kishte kërkuar 9 vite burgim për Bistrin, por Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli të pafajshëm për 2 akuzat kryesore, ndërsa e dënoi me vetëm 3 vite burg vetëm për zbulim të akteve sekrete, pasi dekonspironte operacionet e Policisë së Shtetit për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe pjesës tjetër të grupit kriminal. Bistri u lirua. Për ish-prokurorin Xhevahir Lita, SPAK kishte kërkuar 6 vite burg. Lita u përball në Gjykatë për akuzën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor. Lita u dënua nga GJKKO me 5 vite burgim, me gjykim të shkurtuar zbret në 3.4 vite, shuarje të masës arrest ne burg. Vendimi për dy të pandehurit do të shkojë në Apel pas ankimit të SPAK.
/ZËRI