
TIRANË- Shqiptarët mund të jenë ndër më të varfrit në Europë, por nuk kursehen aspak kur bëhet fjalë për të ndërtuar, sidomos banesa, duke ia kaluar çdo shteti tjetër të Europës. Nga vendet e rajonit, pas nesh renditet Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina dhe e fundit është Serbia. Monitor shkruan se të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në ndërtim, dominojnë banesat rezidenciale, me 60% të totalit të shpenzimeve për ndërtim. Në vitin 2022, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivel rekord në dekadën e fundit. Nga ana tjetër kemi një tendencë në tkurrje të popullsisë dhe rritjes së ngadaltë të të ardhurave zyrtare, por kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen. Sipas Monitor, të dhëna të tjera të INSTAT, tregojnë se formimi bruto i kapitalit fiks për ndërtesa për banim, i cili mat investimet e rezidentëve për banesa, arriti në 209 miliardë lekë (rreth 1.8 miliardë euro), që është niveli historik më i lartë rekord.