Alket Rizai, i njohur për arratisjet e bujshme nga burgjet greke, është rikthyer në qendër të vëmendjes në Greqi. Ai është shpallur në kërkim gjatë orëve të fundit, pasi nuk është kthyer në burgun e Domokos pas përfundimit të lejes. Sipas mediave greke, Rizai ishte me leje shpërblyese që prej datës 7 shtator dhe duhej të rikthehej në ambientet e burgimit mëngjesin e kësaj të hëne, por ai nuk është paraqitur, duke u shpallur kështu zyrtarisht nga autoritetet greke si i arratisur. Emri i tij doli në skenë në një plagosje me armë në një beach-bar në Athinë, më 13 shtator. Rizai, dyshohet se ka qëlluar me armë, pas një debati verbal me pronarin e biznesit, pas kërkesës nga ky i fundit për të ulur volumin e muzikës. Konflikti la pas dy të plagosur, ndërsa "famëkeqi", Alket Rizai, u shpall zyrtarisht në kërkim. Rizai është një personazh i njohur për autoritetet greke dhe për arratisjet e tij spektakolare nga burgjet. Ai është arratisur dy herë me helikopter, në vitet 2006 dhe 2009 dhe është dënuar dy herë me burgim të përjetshëm. Që prej janarit 2021, Alket Rizai kishte përfituar 16 leje daljeje nga burgu dhe ishte rikthyer pas secilës prej tyre, por në lejen e 17-të ai nuk u kthye më në qeli.
/ZËRI