
TIRANË- Në orën 18:00 të kësaj mbrëmjeje, u mblodhën dhjetëra qytetarë përpara Ministrisë së Shëndetësisë dhe bënë thirrje për medikamentet që mungojnë tek Onkologjiku, kryesisht ato që përdoren në terapitë për trajtimin e kancerit. Iniciatori i kësaj proteste, gazetari Osman Stafa deklaroi se familjarët e pacientëve që vuajnë nga sëmundje të tilla, i sigurojnë medikamentet përmes rrugëve të tjera, në mungesë të reagimit nga instancat përkatëse.
Studentë të mjekësisë, aktivistë si Zhaklin Lekatari dhe shumë të tjerë vunë theksin tek shpëtimi i jetëve të pacientëve, duke shtuar se duhet të jetë pikërisht ky prioriteti i Ministrisë së Shëndetësisë.
Në një prononcim për Zërin, një qytetare tregoi se shumë herë është përballur me histori njerëzish që kërkojnë medikamentet të nevojshme për të kuruar kancerin, por në spitalet tona kanë mbetur pa përgjigje.
Ajo rrëfeu gjithashtu dhe një rast personal, kur kishte pasur dyshime për kancer gjiri. Rasti i saj kishte një tjetër fund, por jo të gjithë kanë pasur të njëjtin fund.
E reja e mbyll prononcimin me një thirrje ndaj të rinjve.
Ndiqni materialin e përgatitur nga Zëri: