
SHBA- Gjykata federale e Uashingtonit dënoi të premten me 28 muaj burg ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.
Gjykatësja e çështjes tha në sallën e gjyqit para dhënies së dënimit, se fakti që zoti McGonigal kishte marrë para nga dikush që e kishte prezantuar me zyrtarë të huaj në Shqipëri “është një shkelje shumë serioze”.
Gjykatësja shtoi që veprime të tilla ishin shenjë e pangopësisë dhe arrogancës së McGonigal.
Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë i kishin kërkuar gjykatës, dënimin e McGonigal me 30 muaj burgim dhe një gjobë prej 95 mijë dollarësh. Prokurorja e çështjes tha se shkeljet e McGonigal ishin flagrante dhe përbënin korrupsion.
Në përfundim të seancës, McGonigal nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të Zërit të Amerikës duke thënë "jo tani" ndërsa avokati i tij, tha se ata ndiheshin shumë të lehtësuar me vendimin./ZËRI