
TIRANË- Ermal Beqiri, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave të IT-së nga AKSHI përmes kompanisë së tij Soft & Solution është duke u shndërruar në një nga aktorët më të fuqishëm dhe kyc të sektorit të IT-së, zhvillime këto që diktohen kryesisht nga lëvizja e parasë publike. Kapitali shkruan se ditët e fundit, Beqiri ka mbyllur marrëveshjen për blerjen e kompanisë Horizon, një shoqëri me pronësi në Qipro, e cila është përfituese e disa kontratave publike në Teknologjinë e Informacionit. Transaksioni nuk është njoftuar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, serveri i të cilit mirëmbahet pikërisht nga Soft & Solution. Shifra e blerjes nuk bëhet ende e ditur. Horizon shpk është një nga kompanitë e para në fushën e teknologjisë së informacionit në Shqipëri. Aktualisht si pronarë të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit, figurojnë dy agjentë nga një zyra avokatie dhe taksash në Qipro.
Aktualisht kjo kompani ka disa kontrata publike të përfituara nga AKSHI si serveri i Agjencisë së Prokurimeve, ai i ministrisë së Financave dhe institucioneve të varësisë, mirëmbajtja e serverit të Tatimeve etj. Ermal Beqiri është një nga përfituesit më të mëdhenj të parasë publike në tregun e teknologjisë së informacionit përmes kompanisë së tij Soft & Solution. Soft & Solution në katër vitet e fundit ka përfituar mbi 18 milionë euro pagesa të drejtëpërdrejta nga thesari i shtetit për tenderat e fituar kryesisht nga AKSHI. Emri i Beqirit u bë i njohur për herë të parë për publikun si një nga ekspertët e pajtuar për të vërtetuar autenticitetin e video përgjimit të Ilir Metës me të ndjerin Dritan Prifti. Më vonë kompania e tij do të përfshihej në skandalin e tenderave të byzylykëve për të dënuarit, ndërsa pas monopolizimit të tenderave të IT-së nga AKSHI, Beqiri u shndërrua në një nga dinosaurët e kontratave publike të këtij sektori.