TIRANË- Kuvendi miratoi me 84 vota pro projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me 8,500 lekë. Kryeministri Edi Rama votoi pro, kryedemokrati Sali Berisha mungoi, ndërsa deputetët e PD votuan kundër. Ndërkohë qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve. Kreu i qeverisë njoftoi se ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave. Lidhur me ligjin e ri Rama bëri thirrje për një tryezë të përbashkët pune mes përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Sipas kryeministrit, qëllimi i tryezës do të jetë gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila garanton pagat e magjistratëve.
/ZËRI