
TIRANË- Në rrugën e Barrikadave, në krah të Malit të Tiranës do të ngrihet kulla më e lartë e kryeqytetit. Kapitali shkruan se bëhet fjalë për një përbindësh 100 katësh i projektuar nga arkitekti kilian Alejandro Aravanea dhe studioja e tij Elemental Studio. Kulla do të ndërtohet nga dy kompani shqiptare, Delta e Luan Muçës dhe Techno Alb e Dajlan Avdiajt. Avdiaj njihet si një nga pronarët e ish-kompanisë Apex dhe biznesmeni që ka ndërtuar Kullat tek Sahati dhe pallatin pas Presidencës. Një ditë më parë, në ambientet e një hoteli të njohur në Tiranë u zhvillua konkursi për përzgjedhjen e projektit të kullës me praninë e kryeministrit Edi Rama. Në garë morën pjesë 4 projekte nga studio të huaja arkitekturore dhe në fund u përzgjodh projekti i Aravaneas. Kulla e re ka formën e dy gishtave dhe lartësia e saj e bën hotelin Intercontinental pas 15 katëshit, Tirana Rock dhe Malin e Tiranës, të duken si xhuxha. Kostoja e saj nuk dihet ende.