
TIRANË- Leonard Luzi, i njohur me pseudonimin "Daku" u vendos në pranga nga autoritetet spanjolle pasi ishte shpallur në kërkim për atentatin që nuk u finalizua kurrë ndaj Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt. Pas ekstradimit pritet t’i bashkohet në qeli Amarildo Xhanej Nikollit që gjithashtu u arrestua teksa ishte nisur të vriste Hajrullën. Sipas SPAK, eleminimi i Hajrullës dhe Matodashajt në Vlorë, do të bëhej për tu hakmarrë ndaj vrasjes së Erigert Zejnos dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit. Sipas SPAK, Leonard Luzi (Zejno) është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejnon dhe është paguar nga një person, që deri më tani nuk është identifikuar me emër, për të eliminuar fizikisht Matodashajn e Hajrullën. Për kokën e Hajrullës do të jepeshin 500 mijë euro. Në rrëfimin e bërë nga Nikolli flitet për një person që jeton në Dubai dhe që kërkonte me vendosmëri eliminimin e ‘Sakatit’. Bisedat mes Luzit e Nikollit zbulojnë dhe emrin i një personazhi të rëndësishëm të krimit në qytetin e Shkodrës. Ata flasin për një "Dorian", që për hetuesit, dyshohet se është Dorian Duli. Por të jetë Duli personi që jeton në Dubai dhe kërkon eliminimin e Hajrullës? Një tjetër e dhënë për Luzin është zbuluar nga kunata e Nikollit, Alda Nikolli, e cila në një rrëfim për Top Channel u shpreh se i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani kishte dashur t’i vendoste ‘gjobë’ dhe “Dakut”.